
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka sjell një urdhër tjetër ekzekutiv që urdhëron shpërbërjen e shtatë agjencive federale, përfshirë atë që mbikëqyrë Zërin e Amerikës dhe mediat e tjera qeveritare me shtrirje globale.
Ky urdhër prek agjenci që kryesisht trajtojnë çështje si ndërmjetësimi i mosmarrëveshjeve të punës dhe mbështetja për të pastrehët, duke kërkuar eliminimin e çdo funksioni që nuk është i detyrueshëm me ligj.
Një shembull konkret është Agjencia Amerikane për Media Globale, organizata nën të cilën funksionon Zëri i Amerikës. Kjo agjenci është e pavarur dhe e krijuar nga Kongresi amerikan, i cili në vitin 2020 miratoi një ligj për të kufizuar kompetencat e drejtorit ekzekutiv.
Përveç Zërit të Amerikës, Agjencia Amerikane për Media Globale financon gjithashtu Radion Evropa e Lirë dhe Radio Azia e Lirë.
Me një buxhet prej rreth 270 milionë dollarësh dhe mbi 2000 të punësuar, kjo organizatë transmeton programe në 49 gjuhë dhe arrin një audiencë javore prej më shumë se 361 milionë njerëzish.



