
Kryeministri britanik, Keir Starmer ka mbrojtur trupat britanike që kanë luftuar në dekadat e fundit, pasi zv/presidenti amerikan JD Vance, një aleat i Donald Trump, tha se Britania ishte “një shtet i rastësishëm që nuk ka luftuar një luftë në 30 vjet”.
Deputetët dhe ish-ministra e quajtën Vance një “kloun” dhe e akuzuan se kishte harruar se Britania ka luftuar krah SHBA-ve në Irak dhe Afganistan në vitet e fundit. Pas kritikave të forta, Vance u mundua të sqarojë dhe tha se nuk po fliste për Britaninë dhe e quajti akuzën “absurditet të pandershëm”, shkruan Mirror, transmeton Indeksonline
Polemika shpërtheu të hënën në mbrëmje, kur Vance tha në një intervistë për Fox Neës: “Nëse doni garanci të vërteta sigurie, nëse doni të siguroheni që Vladimir Putin nuk do të pushtojë Ukrainën përsëri, garancia më e mirë e sigurisë është t’i jepni SHBA-ve mundësi ekonomike në të ardhmen e Ukrainës. Kjo është një garanci shumë më e mirë sigurie se 20,000 ushtarë nga një shtet i rastësishëm që nuk ka luftuar një luftë në 30 ose 40 vjet.”



