BotaLajme

Palestinezi Muhammed Abu Tawila, i burgosur nga Izraeli për një vit, ka humbur njërin sy dhe ka pësuar djegie të rënda kimike në trupin e tij si pasojë e torturave që ka pësuar në burg, transmeton Anadolu. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga gazetarët e Gazës Visam Nassar dhe Velid Huran zbulohet tortura që i është nënshtruar për një vit i burgosuri palestinez Abu Tawila, i cili u lirua rreth një javë më parë. Abu Tawila, inxhinier me profesion, është një nga qindra palestinezët që u janë nënshtruar formave më të ashpra të torturës në burgun Sde Teiman në jug të Izraelit, ku janë dokumentuar vdekjet e të paktën 36 palestinezëve. Shenjat e torturës në lëkurën e Abu Tawilas, zbulojnë se kimikate shkatërruese janë përdorur mbi palestinezin e burgosur. Abu Tawila, i arrestuar në Rripin e Gazës gjatë sulmeve izraelite, iu nënshtrua marrjes brutale në pyetje, që përfshinte tortura fizike dhe psikologjike. Siç mësohet, ndër torturat e përdorura kanë qenë goditjet elektrike, uji i ftohtë me presion, rrahjet e rënda dhe kimikatet djegëse. Si pasojë e këtyre torturave, Abu Tawila humbi njërin sy dhe pësoi djegie të rënda në lëkurë. I liruar me duar të lidhura me pranga dhe lakuriq, Abu Tawila u detyrua të ecë një distancë të gjatë dhe kur mbërriti në portën kufitare Kerem Abu Salim, gjendja e tij shëndetësore u raportua jashtëzakonisht kritike. Mjekët, që e trajtuan atë në spitalin ku u dërgua, deklaruan se Abu Tawila kishte nevojë për mbështetje intensive mjekësore dhe psikologjike për të përballuar efektet fizike dhe psikologjike të torturave. Po ashtu është bërë thirrje për evakuimin e tij për trajtim jashtë vendit, pasi shërbimet shëndetësore në Gaza pothuajse janë shkatërruar plotësisht nga sulmet izraelite.

Izraeli kërkon demilitarizimin e plotë të Sirisë jugore dhe nuk do të tolerojë “asnjë kërcënim” për popullatën Druze në këtë rajon, ka deklaruar kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) “do të qëndrojnë në sektorin Hermon dhe në zonën tampon [në Golanin sirian] për kohë të pacaktuar për të mbrojtur komunitetet tona dhe për të parandaluar çdo kërcënim”, ka thënë udhëheqësi izraelit para oficerëve të rinj në një ceremoni diplomimi në IDF.

“Është më mirë të dëgjoni”, ka paralajmëruar ai, “nuk do të lejojmë që forcat e HTS-së ose ushtria e re siriane të hyjnë në territorin jugor të Dimaaskut”.

Netanyahu ka theksuar tri qëndrime kyçe të politikës izraelite ndaj Sirisë jugore, shkruan AP.

IDF do të qëndrojë në malin Hermon dhe në zonën tampon në Golan për kohë të pacaktuar, duke siguruar sigurinë e komunitetit izraelit; Ushtrisë siriane nuk do t’i lejohet të përparojë në jug të Dimaaskut, duke kufizuar në mënyrë efektive kontrollin e Damaskut mbi këtë rajon; Izraeli do të sigurojë mbrojtjen e Druzëve në Siri, duke parandaluar çdo kërcënim për komunitetin e tyre.

Me këto veprime, Izraeli po krijon një zonë tampon në Sirinë jugore, duke u fokusuar në mbrojtjen e popullatës lokale Druze. Kjo politikë mund të çojë në një ri-definim afatgjatë të kontrollit mbi rajonin dhe gjithashtu mund të shkaktojë reagime nga qeveria siriane dhe aktorët e tjerë rajonalë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close