
Një episod dhune e paprecedent ka ndodhur ditën e djeshme në Sarandë. Biznesmeni dhe kreu i Operatorëve Turistikë, Arben Çipa është dhunuar barbarisht nga dy persona. Ka qenë vetë Çipa i cili përmes një video ku shihet i gjakosur në fytyrë dhe trup, ka shpjeguar se kush ishin personat që e dhunuan. Ai tregon se njëri prej tyre ishte administratori i klubit të natës “Four Elements” në Sarandë.
Më tej shpjegon se gjithçka ka nisur nga një diskutim për një çështje që ky person së cilit i referohet me emrin Dio është bërë pengesë mbi një projekt biznesi. Pas diskutimeve Dio ka nisur të shajë derisa bashkë me personin tjetër ka nisur t’i gjuajnë me grushte dhe me gurë në fytyrë dhe trup.
Ai ka pësuar lëndime të rënda, duke përfshirë gjakderdhje dhe plagë të shumta, dhe është transportuar menjëherë në spital për trajtim mjekësor. Ngjarja ka ndodhur në ‘Heremec’, që ndodhet ndërmjet Sarandës dhe Kakomesë. Ndërkohë sot policia e Sarandës vuri në pranga autorin e identifikuar Diomet Musa, ndërsa në kërkim është nipi i tij. Sipas raportimeve shkak i sherrit është bërë ndërtimi i një linje elektrike që po bënte Arben Çipa për të furnizuar me energji një bar-restorant në zonën e Heremecit. 52-vjecari pretendon se po ndërton linjën elektrike në bazë të një projekti të OSHEE, ndërsa autorët kanë kundërshtuar, pasi aty, do ndërtojnë një biznes.
NJOFTIMI I POLICISË SË SARANDËS:
Falë veprimeve të shpejta të Specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, u lokalizua në një banesë në fshatin Lukovë, ku po fshihej, dhe u arrestua shtetasi Diomet Musai, 37 vjeç, me precedent kriminal në krimet ndaj personit. Ndërkohë, vijon kërkimi për kapjen e shtetasit M. M., 29 vjeç.
Dy autorët, xhaxha dhe nip, dyshohen se më datë 21.02.2025, rreth orës 16:10, në vendin e quajtur “Rruga për në Heremec”, në lagjen nr. 3, Sarandë, për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, shkelma dhe sende të forta shtetasin Sotir Çipa, 52 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Shërbimet e Policisë po vijojnë punën për kapjen e 29-vjeçarit të shpallur në kërkim si bashkëautor. Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.



