
Mëngjesin e sotëm Lëvizja Demokratike paralajmëroi konferencë për shtyp ku sipas njoftimit, pritej që deklaratë të jepte kreu i partisë, njëherë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
“Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe zëvendës kryeministër i parë Izet Mexhiti sot (22.02.2025) me fillim në ora 11:00 në Hotel Holiday Inn do të japë deklarata për media pas mbajtjes së aktivitetit të LD-së “Një ditë dinamike për ekipin – Lidhje, bashkëpunim dhe vendimmarrje etike”. Jeni të mirë se ardhur!”, shkroi LD në njoftim.

Pak më vonë, nga Bashkimi Demokratik për Integrim dolën me një kumtesë, ku thanë se Inspektorati për Administratë ka vërtetuar, siç thonë ata, “keqpërdorim të detyrës zyrtare” nga ana e ministrit të Mjedisit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti dhe stafit të tij në kabinet, dhe se sipas integristëve, Mexhitit i janë marrë kompetencat.
“Në bazë të vendimit të Inspektoratit Administrativ me numër 11-1653/2024, të datës 17.01.2025, Izet Mexhiti është zhveshur nga të gjitha kompetencat e tij, të cilat janë transferuar në Drejtorinë e Mjedisit. Ky institucion, që deri në mandatin e BDI-së udhëhiqej nga një kuadër shqiptar, tani është vënë nën kontrollin e një drejtori të emëruar nga VMRO- DPMNE-në. Me këtë vendim, Drejtori i ri është urdhëruar që të mos dërgojë për nënshkrim në kabinetin e Mexhitit asnjë dokument nga sektorët kryesorë të ministrisë, përfshirë Sektorin e Natyrës, Ujërave, Mbeturinave, Mjedisit dhe Ndotjes Industriale. Këta sektorë përbëjnë mbi 70% të kompetencave të Ministrisë së Mjedisit, duke e bërë këtë akt një zhvillim të paprecedentë”, thonë mes tjerash nga BDI.
Pas kësaj, në konferencën për shtyp të paralajmëruar nga LD, në vend të Mexhitit u paraqit Bashkim Hasani, i cili i pyetur për çështjen në fjalë, u përgjigj:
“Kompania e Kosovës sot na mundëson një trajnim të mrekullueshëm, edhe kështu që na ka lodhur edhe fizikisht edhe psiqikisht, edhe jemi të koncentruar vetëm për punën e trajnimit, ndërsa për punët politike besoj që ditët në vijim do të ketë edhe deklaratë”, tha Hasani.



