LajmeMaqedoni

Në mars fillon ndërtimi i shkollës së re tekstile

Kasami ka thënë se në thirrjen e dytë të Qeverisë për aplikim të komunave me projekte, Tetova do të aplikojë për vazhdimin e fazës së dytë të ndërtimit të shkollës së mesme komunale tekstile “Gjoce Stojçevski”.

Në muajin mars pritet që të fillojnë punimet për ndërtimin e objektit të ri të shkollës së mesme komunale tekstile “Gjoce Stojçevski” në Tetovë. Pas përzgjedhjes së kompanisë për kryerjen e punëve dhe përfundimit të fazës së ankesave, pritet që të jepet urdhëresa për fillimin e punëve. Kështu thotë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ndërsa informon se mjetet janë siguruar nga pushteti qendror ndërsa ndërtimi do të kushtojë pesë milionë euro.

“Është faza finale e përzgjedhjes së kompanisë dhe pas nënshkrimit të kontratës do të jepet urdhëresë për fillimin e punëve. Besoj se brenda muajit mars do të fillojnë punët”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Me fillimin e punëve, pritet që nxënësit nga pjesa e dytë e muajit mars të ndjekin mësimin online, ndërsa nga shtatori do të mësojnë në objektin e shkollës fillore “Besa” në Reçicë të Vogël. Për mënyrën e mësimit me prezencë fizike do të vendoset në mënyrë plotësuese, thotë drejtori I shkollës së mesme tekstile Muzafer Livoreka. Shkolla duhet të jetë gati për mësim në shtator të vitit 2026. Nga ana tjetër, sipas drejtorit Livoreka, pjesa praktike do të vazhdoj të ndjekë mësimin në sallën e sportit.

“Mendojmë se me një shtator të vitit 2026 shkolla e re do të jetë gati për mësim apo do të bëhet hapja solemne. Ne kemi biseduar me profesorët e drejtimit të dizajnit, nëse automatikisht ndërtohet edhe shkolla tjetër pra gjimnazi 7 marsi, nuk do të ketë hapësirë për të ruajtur puntoritë për kimi-teknologji. Është biseduar që disa makineri të transferohen te salla e sportit, ku pjesa praktike do të mbahet te salla”, thotë Livoreka. Kohë më parë, gjatë një vizite në Tetovë, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se objekti për këtë shkollë është planifikuar të jetë përdhes plus dy kate.

“Edhe një tjetër projekt shumë i rëndësishëm për Tetovën, në përputhje me Programin për shfrytëzimin e mjeteve kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale për projekte infrastrukturore në fushën e arsimit dhe shkencës për vitin 2024, për të cilin janë ndarë mjete për realizim, është projekti për Ndërtimin e objektit krejtësisht të ri për shkollën e mesme teknike Gjoce Stojçevski. Objekti është planifikuar të jetë përdhesë plus dy kate”, deklaroi kohë më parë zëvendëskryeministri Izet Mexhiti. Në ndërkohë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka thënë se në thirrjen e dytë të qeverisë për aplikim të komunave me projekte, komuna e Tetovës do të aplikojë për vazhdimin e fazës së dytë të ndërtimit të shkollës së mesme komunale tekstile Gjoce Stojçevski. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close