
Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë nisur të martën takimin e nivelit të lartë në Arabinë Saudite.
Pas më shumë se dy orësh, palët janë pajtuar për një pushim të shkurtër, për t’u rikthyer sërish në tavolinë.
Pala amerikane ka thënë se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Pala ruse, në anën tjetër, ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.
Kremlini: Putin do të bisedojë me Zelenskyn, ‘nëse është e nevojshme’
Teksa vazhdojnë bisedimet, Kremlini ka thënë se presidenti Putin është i përgatitur për të biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, “nëse është e nevojshme”.
“Vetë Putin ka thënë se është i gatshëm të negociojë me Zelenskyn, nëse është e nevojshme”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve.
“Megjithatë, duhet diskutuar bazën ligjore të marrëveshjeve, duke marrë parasysh që legjitimiteti i Zelenskyt mund të vihet në pikëpyetje”, ka thënë ai.
Peskov ka thënë se Rusia nuk është kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, për aq kohë sa nuk përbën kërcënim për sigurinë.
“Kjo është e drejtë sovrane e secilit shtet. Po flasim për integrim dhe procese ekonomike, dhe në këtë pikë, natyrisht, askush nuk mund të diktojë diçka për një shtet tjetër. Nuk do ta bëjmë këtë”.
“Por, qëndrimi ynë në çështjet e sigurisë, aleancat ushtarake, është krejt tjetër. Ajo është temë tjetër dhe të gjithë e dinë këtë”./Radio Evropa e Lirë



