LajmeMaqedoni

Qeveria ia mësyn edhe prokurorisë

Partia në pushtet VMRO përsëri e ftoi prokurorin e përgjithshëm Ljupço Kocevski të largohet, me arsyetimin se “nuk ka hapur asnjë rast kundër funksionarëve të dikurshëm të LSDM-së dhe BDI-së”. Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së Venko Filipçe duke komentuar këtë çështje, tha se Kocevski duhet të qëndrojë dhe qeveria të mos e partizojë Prokurorinë e Përgjithshme.

Pushteti gjyqësor vazhdon të jetë në fokus të pushtetit ekzekutiv dhe debateve mes partive politike. Qeveria dhe opozita me qëndrime të kundërta për sa i përket asaj se a duhet të shkarkohet prokurori i përgjithshëm, Ljupço Kocevski. “Ndryshimi i një prokurori dhe zëvendësimi i tij me një tjetër nuk është zgjidhje, por është partizim”, kështu ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili mendon se nuk është e drejtë të pranohet interpelacioni për prokurorin e përgjithshëm të Republikës, Ljupço Kocevski. Siç theksoi Filipçe, kjo nuk është pjesë e agjendës reformuese për sistemin e drejtësisë, e cila është zgjidhja e vetme për pavarësinë e saj.

“Mendoj se bëhet fjalë për partizim. Nuk dua të komentoj ekspertizën apo njohuritë e askujt, sidomos në pushtetin gjyqësor. Absolutisht, gjithçka që devijon nga agjenda e rritjes nuk është reformë. Zëvendësimi i disa njerëzve me të tjerë nuk është reformë, por një rrezik për partizim“, tha Filipçe.

Nga ana tjetër, partia në pushtet VMRO-DPMNE përsëriti se Prokuroria e Përgjithshme, e drejtuar nga Ljupço Kocevski, në vend që të dënojë krimin, mbron elitën politike të lidhur me LSDM-në dhe BDI-në. “Funksionimi i Kocevskit për më shumë se 8 muaj është shkatërrues. Kocevski për muaj me radhë ka mbrojtur funksionarët e dikurshëm të LSDM-së dhe BDI-së. Ljupço Kocevski për 8 muaj nuk ka ngritur asnjë akuzë. Ljupço Kocevski është plotësisht përgjegjës për mosveprimin dhe mosfunksionimin e prokurorëve nën drejtimin e tij. Ljupço Kocevski është përgjegjës për mbrojtjen e kriminelëve politikë nga LSDM dhe BDI”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE.

Ndërkaq, Qeveria e Maqedonisë së Veriut para dy ditësh mori vendim për fillimin e procedurës për shkarkimin e Kocevskit. Vendimin e ka marrë më 11 shkurt dhe afati ligjor prej 15 ditësh që Këshilli i Prokurorëve Publikë të shprehet për propozimin fillon nga dita kur ky propozim t’u dorëzohet nga Ministria e Drejtësisë. Arsyeja për këtë, sipas tyre, është zhgënjimi për veprimet jashtë kompetencave ligjore, duke theksuar se Kocevski ka emëruar një ushtrues detyre në Prokurorinë e Lartë të Posaçme në vend të Mustafa Hajrullahit i cili ishte pezulluar. Kryetarja e Këshillit, Dusica Dimitrieska, tha se do ta respektojnë afatin dhe do të deklarohen për propozimin e Qeverisë sapo ta marrin. Ajo po ashtu theksoi se zgjedhja e kreut është bërë unanimisht nga Këshilli i Prokurorëve Publikë dhe se ka qenë procedurë ligjore.

Kocevski paraprakisht i është përgjigjur akuzave të qeverisë dhe VMRO-DPMNE-së duke thënë se gjithmonë ka vepruar në përputhje me ligjin. Ai pohon se kjo nuk është hera e parë dhe se ka qenë prioritet emërimi i një drejtuesi të Prokurorisë së Lartë Publike në Shkup, i cili do të ishte garant i punës profesionale të prokurorisë deri në përfundimin e procedurës disiplinore për prokurorin Hajrullahi. Kocevski është emëruar në pozitën e Prokurorit Publik të Shtetit një vit më parë, pas pensionimit të paraardhësit të tij, Ljubomir Jovevski. Ai ka edhe pesë vite të tjera mandat në këtë detyrë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close