ASH: Mjaft me zvarritje! Shqiptarët nuk do të presin edhe një dekadë!

Ne shqiptarët gjithmonë kemi respektuar dhe mbështetur identitetin, gjuhën dhe dinjitetin e bashkëqytetarëve tanë maqedonas, edhe kur ky respekt nuk ka qenë i ndërsjellë. Ne nuk kemi kontestuar kurrë identitetin e tyre, ndërsa vetë vazhdojmë të përkufizohemi në Kushtetutë me formulimin nënçmues prej 20 për qind.

Shqiptarët janë pothuajse një e treta e popullsisë. Nuk jemi mysafirë në këtë shtet dhe nuk do të pranojmë të mbahemi peng i kalkulimeve politike të askujt!

Marrëveshja është marrëveshje! Detyrimet e vitit 2022 duhet të zbatohen, i pëlqen apo jo Mickoskit. Frika nga kushtet hipotetike të Bullgarisë nuk mund të shërbejë si justifikim për bllokimin e së ardhmes evropiane.

Mickoski ishte në pozitë më të favorshme në vitin 2024 sesa është sot, në vitin 2026. Nëse vazhdon kështu, në vitin 2028 me shumë gjasë do të jetë në pozitë edhe më të dobët. Koha po dëshmon se sa më gjatë zvarritet procesi, aq më shtrenjtë e paguajnë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie.

Rinia po ikën, familjet po shpërngulen, ndërsa politika vazhdon të blejë kohë. Një dekadë na e humbi Gruevski. Shqiptarët nuk do të presin edhe një dekadë tjetër për Mickoskin!

Jeni Qeveri, keni mandat dhe përgjegjësi. Kapërdijeni këtë kafshatë, miratoni ndryshimet kushtetuese dhe hapni rrugën evropiane! Nëse nesër paraqiten pengesa të tjera, përballuni me to atëherë.

Ne kemi treguar durim, mirëkuptim dhe mbështetje. Por durimi nuk është i pakufishëm.

Në rrugën evropiane nuk jeni vetëm. Por mos na detyroni neve shqiptarëve t’ju lëmë vetëm në bllokadën tuaj politike. Kjo nuk do të ishte rrugë e mirë për askënd.

Aleanca për Shqiptarët nuk do të mbështesë politika që sakrifikojnë të ardhmen e qytetarëve për interesa partiake.

Mjaft me arsyetime! Koha për vendime është SOT, jo në vitin 2028!