
Në Shqipëri, opozita iu rikthye të shtunën pasdite protestave, por duke u mbledhur, në ndryshime nga më parë, vetëm përpara godinës së qeverisë. Përpara disa mijëra mbështetësve të tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, renditi një seri akuzash ndaj kryeministrit Edi Rama dhe afera korruptive të qeverisë së tij, duke u mbështetur më së shumti dhe në deklaratat publike të ish zëvendëskryeministrit socialist Arben Ahmetaj, nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme dhe prej më shumë se një viti e gjysëm në arrati.
Ndërsa vendi ndodhet gati 3 muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare, zoti Berisha shfrytëzoi fjalën e tij për të shpalosur disa nga pikat kryesore të programit të opozitës. “Është programi i lirisë dhe të drejtave të njeriut, programi i përmbysjes së modelit të deritanishëm të përdorimit të buxhetit, programi i rritjes së rrogave dhe pensioneve, programi i modernizimit të shërbimeve në arsim, shëndetësi dhe fushat e tjera”, deklaroi ai.
Zoti Berisha, ndonëse deklaroi se partia e tij është më e bashkuar se kurrë, i mëshoi nevojës që të gjitha forcat opozitare të jenë nën një ombrellë të vetme, në zgjedhje. “Iu garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar. Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës.Ftoj socialistët e ndershëm, që i shfrytëzoi gjer në palcë rilindja e Edi Ramës, të bashkoheni me ne, sepse programi ynë është program për të gjithë shqiptarët”, deklaroi zoti Berisha.
Ai pati dhe një thirrje për atë që njihet si elektorati gri. “Mos harroni që, historia ne shqiptarëve na ka mësuar se e keqja, se diktatura pas lufte nuk desh asgjë tjetër përveç heshtjes së shumicës. Se shumica e heshtur, me dashje apo pa dashje bëhet aleate e diktaturës. Ndaj të ngrihemi, heshtja të mos na topisë, por të shkojmë tek kutia e votimit. Të marrim të gjitha përgjegjësitë qytetare për të votuar dhe larguar me votën tonë regjimin më të keq, diktaturën më të keqe, më antishqiptare”, u shpreh zoti Berisha.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, të cilat ishin karakterizuar nga akte force dhe përplasje me policinë, këtë herë gjithshka shkoi paqësisht. Gjatë protestës, pati vetëm hedhje të shashkave, nga të cilat mësohet se tre punonjës policie u lënduan lehtazi.




