LajmeRajonTopLajm

Lajçaku për dialogun: Kallasi do ta udhëheqë procesin, Sorenseni do të ndihmojë në këtë punë

Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, pas dy ditësh do ta përfundojë mandatin. Ai ka thënë se BE-ja do të jetë e angazhuar në procesin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje në mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçaku thotë se vetë Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, do të përfshihet në këtë çështje, bashkë me Peter Sorensen, pasardhësi i Lajçakut në këtë pozicion.

Siç tregon Lajçaku, pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, që mbahen më 9 shkurt, do të ketë një propozim për Kosovën dhe Serbinë.

“Ne kemi një analizë shumë të mirë të situatës dhe e dimë shumë mirë se, sidomos që nga vjeshta e vitit të kaluar, që kur Kosova hyri në fushatë zgjedhore, duhet të merremi me çështje specifike. Ne patëm tre takime të kryenegociatorëve gjatë vjeshtës dhe dimrit. U ulëm me orë të tëra dhe folëm shumë konkretisht për një sërë çështjesh”.

“Ne po përgatitemi që BE-ja të fillojë bisedimet në nivelin më të lartë pas zgjedhjeve në Kosovë. Përfaqësuesja e re e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, e ka bërë të qartë se do të jetë e përfshirë drejtpërdrejt dhe se dëshiron të udhëheqë procesin. Po përgatitet një qëndrim i BE-së, një propozim për të dyja palët”, ka thënë Lajçaku për Radiotelevizionin e Serbisë.

“Sigurisht, nuk mund të flas për këtë më në detaje tani. Pasardhësi im, Peter Sorensen, i cili është një diplomat me përvojë dhe e njeh mirë Ballkanin, do të jetë aty për të ndihmuar Kaja Kallas në këtë punë”.

Lajçaku do ta përfundojë mandatin më 31 janar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close