LajmeRajon

Rënia e butë e Erion Veliajt

Drejtësia e re ka mandat të arrijë tek persona të ndëshkueshëm, por pa guxuar të prekë një sistem të pandëshkueshëm

Nga Andi BUSHATI

Ndërkohë që karriera politike e Erion Veliajt po rrokulliset në mënyrë të pakthyeshme, duket sikur drejtësia po gjurmon një shteg të ngushtë, ku edhe nëse goditet personi, të lëndohet sa më pak partia dhe udhëheqësi që e lartësoi atë. Ky do të qe një konkluzion i shpejtë për këdo që ka lexuar vendimin e gjykatës, për kontrollin e banesës së kryebashkiakut dhe njerëzve të tij të afërm.

Efekti i asaj që po ndodh është krejt i ndryshëm nga realiteti. Po ta shohësh në sipërfaqe duket sikur u bë nami. Erion Veliaj është zyrtari më i lartë në detyrë deri tani, ndaj të cilit ushtrohet kontroll banese. Ai po hetohet për korrupsion. Bashkëshortes dhe vëllait të tij i’a kaluan në sitë shtëpitë dhe zyrat. Prokurorët dyshojnë se ai dha familjarët e vet kanë marrë privilegje nga një ish trafikant, i dënuar më parë në Belgjikë, në këmbim të favoreve që u ka bërë kryebashkiaku. Këto dyshime edhe gjykata i ka konsideruar të arsyeshme, për sa kohë e ka lejuar SPAK-un të ushtrojë bastisje dhe të sekuestrojë pajisjet elektronike që i nevojiteshin. Pra, në pamje të parë, duket sikur ky mund të serviret si një rast tipik për të ilustruar tezën aq të përgojuar të “fundit të pandëshkueshmërisë”.

Për një kohë të gjatë Veliaj ka qenë njeriu më i rëndësishëm pas Ramës në PS, i etiketuar jo zyrtarisht si delfini i tij, i cili ka kryer të gjitha punët e pista të pushtetit, duke filluar nga rekrutimi i aktorëve protestues tek teatri, shuarja e revoltave tek unaza e re, apo 5 maji, deri tek kontrolli i rreptë i mediave të mëdha, duke përdorur edhe buxhetet faraonike që kontrollonin kompanitë e të vëllait. “Prekja” e tij, duket sikur e çon marrëdhënien mes dy pushteteve në një stad të ri, të patestuar më parë. Ajo i jep shans, të gjithë ithtarëve të reformës në drejtësi, të çirren me gojën plot, se sistemi po funksionon dhe se nuk ka më të paprekshëm. Ndryshe nga një vit më parë, sot, askush nuk do të habitej nëse Veliaj do të kishte atë fat që nuk i urohet askujt.

Por, kam frikë se ky është vetëm një efekt iluziv, i kuruar shkëlqyeshëm. I shikuar nga këndi i arritjes tek dikush që dukej deri dje sikur qëndronte mbi ligjin, kjo histori u jep të drejtë besimtarëve të punës së SPAK dhe GJKKO-së. Por, nga një optikë tjetër, gjërat nuk janë kaq rozë. Nëse çështjen e shtrojmë ndryshe, pra nëse pyesim se a përputhet kapja në flagrancë e Veliajt, për një korrupsion individual, me perceptimin publik për rolin që ai ka pasur tek inceneratori inekzistent i Tiranës, apo tek Firma 5D, që kishte shpërndarë metastazat në gjithë institucionin e drejtuar prej tij, përgjigjja do të jetë krejt e ndryshme.

Natyrisht në këtë pikë, argumentet e atyre që justifikohen se drejtësia e ka të pamundur të vërtetojë me fakte perceptimet publike, se puna e saj është të gjurmojë provat dhe jo përshtypjet, se edhe Al Caponen e dënuan për fshehje taksash, kanë një bazë logjike. Por në rastin tonë tendenca për t’u marrë me personin e korruptuar si alibi për të fshehur korruptimin e sistemit, po kthehet në praktikë pune. Sot për djegësit e Elbasanit, Fierit dhe atë të munguar të Tiranës drejtësia ka zbuluar vetëm disa hajdutë të vegjël, që duket sikur njollosën një punë të mirë. Për koncesionet në shëndetësi është përdorur e njëjta logjikë, aq sa edhe ish ministri u burgos për abuzim me fatura restoranti, për mos e çuar çështjen më lart.

Fabula po përsëritet edhe me Veliajn. Deri tani ai dyshohet si një keqbërës i rëndomtë, që ka përfituar nga një ish trafikant, të cilit i ka bërë favore përmes fuqisë së tij si kryebashkiak, por jo për sistemin e gllabërimit të fondeve nga drejtorët e institucionit, që përdoreshin më pas për të blerë zgjedhjet. As për milionat e inceneratorëve, që i kalonin deputetët nga opozita tek partia në pushtet dhe që shndërruan në leckë TV-të kombëtare.

Të gjitha këto raste të bëjnë të dyshosh se drejtësia e re ka mandat të arrijë tek persona të ndëshkueshëm, por pa guxuar të prekë një sistem të pandëshkueshëm. Prandaj ajo merret me “krimet” personale të individit pa e parë atë si ingranazhin e një mekanizmi të programuar për të vjedhur. Kjo pamje e përgjithshme ngre pikëpyetje edhe për rastin Veliaj. Mos kemi të bëjmë edhe këtu me një drejtësi me llogari? Me një pazar të negociuar? Me një rënie të butë, që edhe nëse përfundon aty ku s’thuhet, Erioni ta dëmtojë sa më pak partinë dhe shokët që do të vijojnë po njësoj misionin për të cilin u përdor ai?

Është ende shpejt që këto dilema të marrin një përgjigje përfundimtare. Kjo ndoshta do të kërkojë kohë. Por deri tani shenjat janë që ish njeriu më i rëndësishëm pas Ramës në PS të paguajë individualisht dhe jo si anëtar e organizatës të cilës i shërbeu.

Related Articles

Back to top button
Close
Close