
Presidenti amerikan Joe Biden mirëpriti marrëveshjen e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe grupit militant Hezbollah, të përkrahur nga Irani, që vepron në Liban.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivon deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të shtojnë përpjekjet e tyre që nga dita e sotme për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për kthimin e pengjeve që ende mbahen atje. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara sjell kronikën në vazhdim.
“Duke filluar që nga ora 4 e mëngjesit, luftimet përgjatë kufirit libanezo-izraelit do të ndalen. Kjo marrëveshje është e hartuar që të përbëjë një pushim të përhershëm të luftimeve”, deklaroi ai.
Deklarata e Presidentit Biden u bë pak pas fjalimit të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë të cilit ai njoftoi se ka rënë dakord me armëpushimin pas një viti luftimesh, të filluara nga Hezbollahu për shkak të luftës në Gazë, ku Izraeli po lufton kundër Hamasit, një grup tjetër militant të mbështetur nga Irani.
“Me mirëkuptimin e plotë të Shteteve të Bashkuara, ne do të vazhdojmë të kemi lirinë e plotë për veprim ushtarak. Nëse Hezbollahu shkel marrëveshjen dhe përpiqet të armatoset, ne do ta sulmojmë. Nëse përpiqet të rindërtojë infrastrukturën terroriste pranë kufirit, ne do ta sulmojmë”, deklaroi ai.
Zoti Netanyahu tha se Izraelit i duhet ta përqendrojë vëmendjen në operacionet në Gazë, pas sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit në tetorin e vitit të kaluar, dhe tek kërcënimi që vjen nga Irani.
Armëpushimi u mirëprit edhe nga udhëheqësit e tjerë botërorë dhe vëmendja u rikthye tek lufta në Gazë, e cila mendohet se ka shkaktuar vdekjen e 44 mijë palestinezëve.
Presidenti Biden u zotua të martën se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë përpjekje për arritjen e një armëpushimi në Gazë.
“Gjatë ditëve në vijim do të bëjnë edhe një përpjekje krahas Turqisë, Egjiptit, Katarit, Izraelit dhe aktorëve të tjerë në rajon, për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gazë”, tha ai.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan i bëri jehonë kësaj deklarate në televizionit amerikan MSNBC të mërkurën duke thënë se këto përpjekje fillojnë që nga dita e sotme.
Ministri i Jashtëm i Iranit Abbas Araghchi përshëndeti marrëveshjen e armëpushimit dhe tha se shpreson që ajo t’i hapë rrugë një armëpushimi të përhershëm.
“Varet nga sjellja e Izraelit. Ne sigurisht rezervojmë të drejtën për të reaguar ndaj agresionit të Izraelit së fundmi, por ne i konsiderojmë të gjitha zhvillimet në rajon”, deklaroi ai.
Në bazë të marrëveshjes së armëpushimit, forcat izraelite do të tërhiqen nga pjesa jugore përgjatë kufirit libanezo-izraelit, ndërsa Hezbollahu do të tërhiqet drejt veriut, përtej lumit të Litanit.
Sipas planit, ushtria libaneze, e cila nuk është e përfshirë në luftimet ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, do të dislokohet për të vëzhguar rajonin kufitar. Shtetet e Bashkuara dhe Franca do të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjes.
Në orët e para të saj, marrëveshja po respektohej nga palët, ndërkohë që kolona të gjata të zhvendosurish libanezë u nisën drejt shtëpive të tyre në pjesën jugore të Libanit, megjithë paralajmërimet për të mos nxituar të kthehen në disa pjesë të këtij rajoni të dëmtuar rëndë nga bombardimet izraelite ndërsa forcat izraelite ende po tërhiqeshin.
Në Izrael, banorët e zonave kufitare që u goditën nga raketat e Hezbollahut, e mirëpritën marrëveshjen megjithëse mund t’u duhen muaj që të kthehen në shtëpitë e tyre për shkak të dëmeve që kanë përjetuar vendbanimet e tyre.



