
Kina ka lëshuar një paralajmërim për Donald Trump për planet e tij për të vendosur tarifa të reja, duke thënë se “askush nuk do të fitojë në një luftë tregtare”.
Presidenti i zgjedhur tha të hënën se do të vendosë një tarifë shtesë prej 10 për qind për produktet kineze që hyjnë në SHBA kur të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, duke paralajmëruar se “sasi masive droge” po shpërndahen ende në SHBA, pavarësisht bisedimeve të shumta.
“Përfaqësuesit e Kinës më thanë se do të vendosnin dënimin e tyre maksimal, atë të vdekjes, për çdo tregtar droge që kapej duke e bërë këtë, por, për fat të keq, ata nuk e ndoqën këtë, dhe droga po shpërndahet në vendin tonë, kryesisht përmes Meksikës, në nivele të papara më herët”.
Duke reaguar ndaj deklaratës së Trump, Liu Pengyu, zëdhënësi i Ambasadës Kineze në SHBA, shkroi në X, dikur në Twitter: “Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar Kinë-SHBA është reciprokisht i dobishëm. Askush nuk do të fitojë një luftë tregtare apo një luftë tarifore”.
“Autoritetet kundër narkotikëve të Kinës dhe SHBA-së kanë rifilluar komunikimin e rregullt që nga Samiti i San Franciskos. Pala kineze ka njoftuar palën amerikane për përparimin e bërë në operacionet e zbatimit të ligjit të SHBA-së kundër narkotikëve. Kina i është përgjigjur kërkesës së SHBA për verifikimin e të dhënave për raste të caktuara dhe masat e marra”, citohet të ketë thënë ai.



