
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vazhduar “turneun e ndryshim” në komunën e Fushë Kosovës. Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, Abdixhiku bëri të ditur se pjesëmarrje ishte e “jashtëzakonshme, me vendosmërinë e njerëzve të ndershëm e punëtor, burra e gra, të rinj e të reja”, të cilët ai tha se “u mblodhën për të treguar se Lidhja Demokratike e Kosovës po rilind si forca kryesore politike në vend!”
“Fryma që ndjeva sonte mes qytetarëve të Fushë Kosovës ishte përtej fjalëve – një energji e cila buron nga dëshira për një Kosovë që ecën drejt përparimit dhe drejt botës moderne. Ky bashkim i jashtëzakonshëm është tregues i qartë se rruga jonë drejt ringritjes dhe ndryshimit është e pandalshme. Në këtë moment të rëndësishëm, secili qytetar që i përgjigjet thirrjes sonë për ndryshim i jep shtysë të re vizionit tonë për një të ardhme me mirëqenie dhe dinjitet për të gjithë.” – shtoi më tej kandidati për kryeministër i LDK-së.



