
I pari që u dëgjua të thotë se Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Kosovës për rrugën Tetovë-Prizren duhet të kalojë edhe në Kuvend ishte kryetari i Tetovës, pjesë e koalicionit VLEN, Bilall Kasami në muajin gusht.
“Kuvendi ka qenë në pushim veror dhe besoj se nga momenti kur do të rikthehen deputetët do të vazhdojë procedura e ratifikimit të Marrëveshjes në Kuvend”, tha Bilall Kasami – kryetar i Lëvizjes Besa – VLEN.
Por një javë më pas, më 4 shtator, këtë e demantoi zëvendësministrja e Transportit Kaltrina Zekolli-Shaqiri.
“Kryeministri i Kosovës Kurti ka publikuar që atje në një pjesë kanë filluar punët ndërkaq tek ne nuk ka kaluar ende marrëveshja në Kuvend, apo i tenderimit…
-Nuk duhet të kalojë në Kuvend. Nuk është nevoja…
-E ka thënë z.Kasami…
-Nuk do të kalohet në Kuvend”, u shpreh Kaltrina Zekolli – zv/ministre e Transportit.
Po një muaj pas kësaj deklarate, sërish një përgjigje e njëjtë me atë të Kasamit. Zëvendësdrejtori i Ndërmarrjes “Rrugët Shtetërore” Nazim Taipi tha se duhet ratifikim në Kuvend.
“Është përfolur edhe ratifikimi i Marrëveshjes në Kuvend, në këtë aspekt të procedurave, është kryer kjo? Se ka pasur deklarata të ndryshme që të bëjnë konfuz dhe nuk e merr vesh…
-Ajo duhet të kalojë në Kuvend dhe normalisht pritet që të ratifikohet në Kuvend…”, potencoi Nazim Taipi – zv/drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.
Kasamin e pyetëm sërish, po sot ishte më i rezervuar për të dhënë përgjigje më konkrete.
“Sot kam takim me Ministrin e Transportit, edhe një herë e përsëris, nuk kam informata të detajuara sepse ka qenë përgjegjësi e Qeverisë. Sot kam takim me ministrin e transportit, do të siguroj informata më konkrete se deri ku janë procedurat”, theksoi Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.
Ish-zëvendësministri i Transportit, që e ka nënshkruar marrëveshjen me Kosovën, Bekim Rexhepi, këto deklarata kundërthënëse të zyrtarëve i quan “gafa nga padija” dhe shton se Marrëveshja është e asaj natyre që nuk kërkon ratifikim në Kuvend.
“Marrëveshja e nënshkruar përcakton që tuneli i cili është në vijën kufitare të bashkëfinancohet me palën kosovare. Kurse sa i takon pjesës tjetër të trasesë, nga fillimi deri në fundin e tunelit nga Maqedonia e Veriut, ajo vetëm se mund të fillojë të projektohet dhe të ndërtohet. Ne në këtë drejtim, qeveria jolegjitime është në ngecje për shkak se edhe në programin qeverisës nuk parashikohet asnjë projekt për realizim të projekteve që i kemi filluar në pjesën shqiptare”, deklaroi ish-zv/ministri i Transportit Bekim Rexhepi.
E ministri aktual i Transportit, Aleksandar Nikollovski, tha se për këtë rrugë, përveç marrëveshjes së nënshkruar, fotografimeve dhe deklaratave të dhëna, qeverisja e kaluar nuk ka bërë asgjë për magjistralen Tetovë-Prizren.



