
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitarit Fadil Gecit iu prezantua një deklaratë e Rexhep Selimit, ku kishte thënë se ai që e kishte vrarë Abedin Rexhën ishte Gani Geci.
Mirëpo, një gjë të tillë e mohoi Fadil Geci, i cili tha se kur flasim për bërthamat e UÇK-së, nuk duhet ta harrojmë Abedin Rexhën-Sandokanin, i cili sipas tij u vra “nga dora e tradhtarit”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Abedini dhe tre komandantë të tjerë kanë vdekur në betejë. Zona Operative e Drenicës dha katër komandantë brigadash në këtë luftë. Abedin Rexhën, Fehmi Lladrovcin, Ilaz Kodrën dhe Mujë Kransiqin. Vrasja e Komandantit Sandokan është një vrasje në vazhdën e vrasjeve nga tradhtia e njerëzve të mëdhenj. Abedin Rexha u vra nga dora e tradhtarit në pritë, ashtu siç kemi raste gjatë historisë tonë kur njerëzit e medhenj vriten nga tradhtarët”, lexoi prokurori James Pace përgjigjen e Rexhep Selimit në një inervistë.
Tutje, prokurori lexoi se Rexhepi kishte thënë se duhet të thuhet e vërteta mbi vrasjen e Rexhës.
“Kjo nuk bën të fshihet. Përkundrazi, në atë momet kur fshihet bëhet një atentat i dytë mbi Abedinin. Prandaj, duhet që të themi të vertetën lidhur me Abedinin. Vrasja e Abedinit është përfshirë në një komunikatë, në komunikatën 59-të, ku thuhet që ai është vrarë nga Geci. Pse është bërë kjo vrasje, ndërkohë që Abedini mendohet se ishte një perosn shumë i rëndësishëm i UÇK-së në atë kohë. Një shtyllë që njerëzit dëshironin që ta hiqnin”, lexoi prokurori tutje përgjigjen e Selimit në intervistë.
Më tej, Pace lexoi përgjigjen e Selimit, duke thënë se Abedin Rexha është vrarë nga Gani Geci.
“Abedin Rexhën e vrau Gani Geci. Duhet të bëhet analiza se kush është vrarë. Është vrarë një komandant brigade, një ndër themeluesit e UÇK-së në Drenicë, themeluesi i Brigadës 112 dhe një person me kompetencë, e një person që njihej nga popullata. Pse duhet ta fshehim këtë? Ne duhet ta themi të vërtetën”, tha prokurori ,teksa lexoi përgjigjen e Selimit.
Në përgjigjen e tij, dëshmitari Fadil Geci tha se një gjë e tillë është gënjeshtër.
“Ky e din që nuk është ashtu e është rrenë. Rrenë është. Komplet është rrenë. I ka vy, është përfaqësuesi i LPK-së e i drejtimit të kundërt, e ka shkru për palën tjetër se është kështu e është ashtu. Kjo nuk është e vërtetë dhe është krejt rrenë. Forcat e Bujar Bukoshit kanë qenë forca të rregullume brenda sistemit shtetëror të Kosovës. Qaj shtet që e kemi pas”, tha Geci.
Geci theksoi se kanë pasoja edhe sot për shkak të komunikatës 59-të, e që familja e tij vuan në atë drejtim derisa të bëhet e ditur për opinionin që kjo komunikatë është gënjeshtër.
Geci: Si pasojë e komunikatës së 59-të i kemi të plagosur dy vëllezër e të vrarë dy shokë
(Përditësuar, ora 16:41)- Dëshmitari Fadil Geci tha se komunikata e 59-të ka qenë sherr i madh në Drenicë dhe më tej, e që si e tillë ka qenë e rreme.
Sipas tij, si pasojë e kësaj komunikate ata i kanë dy vëllezër të plagosur e dy shokë të vrarë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Komunikata 59-të është sherri më i madh i lyer me benzinë që e ka kallë jo vetëm Drenicën, por edhe më larg. E ajo komunikatë është e rreme, shpifëse, dashakeqe, që i ka ba dëm të gjithëve, por familjes time i ka kriju shqetësime të mëdhaja edhe me pasoja të mëdhaja. I kemi pasur dy shokë të vrarë e dy vëllezër të plagum”, tha Geci.
Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një intervistë që ai e kishte dhënë lidhur me këtë komunikatë.
“Në intervistën që na ke dhënë, ke thënë që lidhur me komunikatën 59-të dhe po lexoj: “E gjithë Drenica u ngritë në këmbë për të nënshkruar deklarata që kjo komunikatë ishte e rreme si kundër Sami Lushtaku dhe të gjithë përfaqësuesit e Drenicës kanë thënë… dhe ky është dokument zyrtar”, lexoi prokurori James Pace.
Geci thotë se Thaçi ia ka puthur dorën: Ai që e bën këtë gjest, është i rrezikshëm për shqiptari
(Përditësuar, ora 16:34)- Fadil Geci tha se ish-presidenti Hashim Thaçi kishte shkuar në shtëpinë e tij gjatë kohës së luftës dhe në një moment ia kishte puthur dorën.
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Geci tha se ai që e bën këtë gjest ishte njeri i rrezikshëm për shqiptarinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Kur jam hy unë, ish kanë tu ju thanë që nuk jam kanë në parti. Unë i thash ti je kanë një javë ditë kryetar i Forumit Rinior të LDK-së në Skenderaj. Tha kam rrejt. I thash ti ke rrejt e je rrenc edhe atëherë edhe sot, e çka te flet ti rren edhe shpif. Më ka marrë për dore edhe më ka qit përjashta mas asaj fjale dhe unë nuk e kuptojsha, s’mujsha me e kuptu. E kam thanë atje e ma anej s’po e çoj. E keni në material, e nuk besoj që ka nevojë ma shumë. Nëse ka, e them edhe ata”, tha Geci.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit James Pace, dëshmitari pohoi se Thaci ia kishte puthur dorën, por këtë gjë ai tha se nuk deshi që ta thoshte këtu.
“Aty e kam pa se një person që e bën atë gjest është i rrezikshëm edhe për shqiptari edhe për shokë të vet që kanë me e pa se kush është, se unë atëherë nuk e kam kuptu”, tha Geci tutje.
Përpara kësaj, dëshmitari tha se edhe Rexhep Selimi kishte shkuar në shtëpinë e tij, por që ai personalisht nuk ishte takuar me atë.
“Kemi bisedu me vllazën. Ganiu më ka trgeu që ka qenë Rexhepi. Se me kanë ka qenë, tash… nuk e kam pyet në detaje, por një më ka thanë që Rexhepi i ka thanë që unë jam Rexhep Selimi- diçka emër i madh, kurse Ganiu i ka thënë që unë jam Gani Geci e hup prej ktuhit”, tha Geci.
Kur u pyet se kur ka vdekur Abedin Rexha, dëshmitari kërkoi që të bëjë një sqarim.
“Jeni profesionalista të gjithë, gjykatë e nderuar”, tha dëshmitari, por që fjala e tij u ndërpre nga prokurori Pace.
Pace kërkoi të dijë se a e mban mend dëshmitari se në çfarë viti ka vdekur Abedin Rexha.
“Unë mendoj edhe ju duhet me e hjek prej kreje. Ajo është marrë Mjekësia Ligjore, grupi i ekspertëve të EULEX-it, obduksioni dhe u kry. Unë mendoj si jurist ashtu”, tha Geci.
Dëshmitari tha se ai e kishte dëgjuar në përkthim që prokurori e kishte pyetur se ‘kur është vra Abedin Rexha”.



