
“Sot këtu në Shkup patëm takim të rëndësishëm dhe të sinqertë me kryeministrin e Republikës së Serbisë, z. Millosh Vuçeviq.
Në qendër të bisedave tona ishte të kuptuarit se shkëmbejmë shumë më tepër se një kufi të përbashkët. Shumë nga qytetarët e të dy vendeve ndajnë historinë, kulturën, lidhjet familjare dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, aspiratat e përbashkëta për prosperitet dhe paqe për popujt tanë.
Biseduam për mënyrat se si të thellojmë bashkëpunimin ekonomik, si të lidhim njerëzit tanë dhe si të krijojmë mundësi për brezat që vijojnë.
Po ashtu, biseduam për sfidat me të cilat përballet rajoni. Në këto kohë të trazuara, është thelbësore që të qëndrojmë së bashku, të jemi zëri i arsyes dhe të punojmë drejt stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë rajonin. E theksuam rëndësinë e dialogut si e vetmja mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet.
Gjithashtu mund të them se biseduam për lidhjen energjetike të dy vendeve. Në mënyrë të veçantë theksuam rëndësinë e ndërtimit të interkonjektorit të gazit që lidh ose do të lidhë të dy vendet në të ardhmen. Sepse tani jemi në fazën e përfundimit të procedurës së tenderimit me të cilën përfundimisht do të nisë ndërtimi i interkonjektorit me fqinjin tonë jugor, për të siguruar mundësi shtesë për furnizimin me gaz të Evropës Qendrore. Ky interkonjektor me fqinjin tonë verior është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ky ishte një nga segmentet e rëndësishme në bisedat tona.
Jemi në fazën e vënies në përdorim ose të tubacionit të produktit ose në opinion e njohur si naftësjellësi i cili lidh vendin tonë me fqinjin tonë jugor. Vlerësojmë se do të ishte një opsion i mirë, të lidhnim të njëjtin tubacion të produktit apo naftësjellësit me fqinjin tonë verior dhe në këtë mënyrë të sigurojmë edhe një korridor tjetër.
Biseduam edhe për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë, e cila është pjesë e Korridorit 10, i cili është prioritet strategjik i Qeverisë sonë, ashtu siç është edhe Korridori 8. Por prioritet ynë i përbashkët është ndërtimi i Korridorit 10 edhe me fqinjin tonë të veriut dhe me fqinjin tonë të jugut. Dhe në këtë mënyrë praktikisht i kemi përfshirë ato tema të cilat janë të rëndësishme, e patë edhe vetë, morët pjesë në nënshkrimin e Memorandumit për Bashkëpunim në fushën e energjetikës, minierave dhe resurseve minerale. Kështu që mund të them se lidhja rajonale mbetet prioritet për të dy vendet dhe kjo lidhje rajonale duhet të jetë pjesë e lidhjes dhe integrimit të ardhshëm brenda Bashkimit Evropian.
Po ashtu biseduam edhe për mbajtjen e qeverive të përbashkëta, diçka që zakonisht e bëjmë me mbledhjet e qeverisë, njëlloj siç bëjnë edhe me fqinjët tanë të tjerë. Kështu që mendoj se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivel jashtëzakonisht të lartë edhe në periudhën që vijon të njëjtat duhet t’i thellojmë.
Si Qeveri maqedonase, orientimi ynë është përsëritur shumë herë, do ta përsëris edhe sot, ka të bëjë me ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët tanë dhe normalisht së bashku si rajon të jemi pjesë e Bashkimit Evropian”.



