
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetësi më i madh i Maqedonisë së Veriut, tha ambasadorja amerikane Anxhela Ageler, e cila mori pjesë në stërvitjen demonstruese në poligonin ushtarak Krivollak. Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, tha se Maqedonia vazhdon të investojë në kapacitetet mbrojtëse në përputhje me standardet e NATO-së.
“Dëshiroj të theksoj se si vend anëtar i NATO-së duhet vazhdimisht të investojmë në pajisjen më të re bashkëkohore dhe të jetë kompatibile me vendet tjera aleate. Por ajo që është më e rëndësishme, kjo Qeveri e udhëhequr nga kryeministri do të vazhdojë të investojë në kapacitetet mbrojtëse, në resurset njerëzore, në pajisjet bashkëkohore gjë që para së gjithash do të thotë Armatë mirë e përgatitur”, tha Misjallovski, transmeton TV21.



