
Tre civilë u vranë në sulmet izraelite gjatë natës në kryeqytetin Damask, njoftuan mediat shtetërore siriane të martën në mëngjes. Mes tyre ishte edhe një prezantuese e kanalit shtetëror.
“Autoriteti i Përgjithshëm i Radios dhe Televizionit njofton vdekjen e prezantueses së saj Safaa Ahmed pas sulmit izraelit në kryeqytetin Damask”, raporton agjencia siriane e lajmeve SANA.
Mbrojtja ajrore siriane ka kapur “objektivat armiqësore” mbi Damask tre herë radhazi gjatë natës, shtoi media shtetërore, pasi u dëgjuan shpërthime në kryeqytet.
Ministria siriane e Mbrojtjes tha se ushtria izraelite shënjestroi Damaskun me dronë dhe avionë rreth orës 02:00 me orën lokale nga “drejtimi i lartësive të pushtuara të Golanit”.
E pyetur për raportet, ushtria izraelite tha: “Ne nuk komentojmë raportet e mediave të huaja”.
Izraeli ka nisur sulmet ajrore në Siri me ndërprerje që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, por zakonisht nuk konfirmon se kur ka kryer sulme atje.



