
Bayern Munich është sërish serioz. Pas një viti të dobët përballë dominimit të Bayer Leverkusenit, këtë sezon “luftanija” gjermane ka ambicie maksimale në të gjitha kompeticionet ku merr pjesë, nga Bundesliga në Ligën e Kampionëve. Nën drejtimin e trajnerit të ri Vincent Kompany është mahnitës dominimi i lojës nga skuadra bavareze, agresioni dhe shënimi i golave.
Një pjesë e meritave shkon edhe për një fushatë blerjesh që synon kthimin në lavditë, të cilat e kanë karakterizuar gjithmonë historinë e shquar të bavarezëve. Drejtuesit e klubit në fjalë do të vazhdojnë ta mbajnë një sy nga tregu për të përfituar nga mundësitë ideale.
Tema e diskutimit te Bayern Munich është sigurisht e ardhmja e Manuel Neuer, duke pasur parasysh fundin e afërt të karrierës së tij, moshën e tij (është 38 vjeç) dhe nevojën për ndryshim brezash. Misioni nuk është aspak i lehtë për të zëvendësuar një portier, që është legjendë e klubit bavarez dhe një ish-gur themeli i kombëtares së Gjermanisë. Për këtë arsye, sipas “The Sun”, Bayern Munich ka lëvizur tashmë me “dritat e fikura” në gjurmët e Alisson Becker, portierit brazilian të Liverpool-it.
Sipas tabloidit anglez, trajneri Vincent Kompany thuhet se është një admirues i madh i portierit brazilian. Madje Bayern Munich është aq i vendosur “të vërë bast” për të, saqë mund të bëjë ofertë të guximshme, për ta kontraktuar verën e vitit 2025. Sidoqoftë, do të përballet me konkurrencë të fortë nga disa klube të Pro Ligës Saudite.
Liverpool e ka dhënë tashmë dritën jeshile për lamtumirën e Alisson, edhe pse indirekt, duke blerë Giorgi Mamardashvili. Portieri gjeorgjian do t’i bashkohet Arne Slot dhe “Reds” vetëm në verën e vitit 2025, pas investimit prej 30 milionë eurosh, plus 5 milionë bonuse. Kontrata e Alisson, megjithatë, është e vlefshme deri në qershor 2027.



