
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar ashpër pas vendimit të Serbisë për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për 75 ditë, duke e cilësuar këtë masë si një kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon.
Ajo theksoi se kjo masë rrezikon të përsërisë historinë e viteve ’90, kur të rinjtë shqiptarë nga Lugina e Preshevës u detyruan të largoheshin për të shmangur shërbimin në ushtrinë e Serbisë.
“Rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht i diskriminon”, vijoi tutje e para e Preshevës.
Ajo po ashtu përmendi ngjarjet e fundit në Banjskë, duke akuzuar Serbinë për synime destabilizuese dhe aneksimin e veriut të Kosovës, duke theksuar se kërcënimi për paqen vjen pikërisht nga Serbia.
Ajo i bëri thirrje Serbisë të tregojë vullnet për normalizim dhe stabilitet, duke u angazhuar për një të ardhme paqësore në vend të tensioneve.
Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq njoftoi se ka nënshkruar marrëveshjen për shërbimin e rregullt ushtarak për 75 ditë.
“Dua të besoj se Qeveria e Serbisë do ta miratojë këtë vendim”, tha Vuçiq gjatë ceremonisë së gradimit të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri./Telegrafi/



