
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do të reagojë ashpër ndaj çdo agresioni që mund të bëhet ndaj tij në çdo front. Kjo ishte deklarata e tij e parë publike që nga vrasja e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran. Megjithatë, në fjalimin e tij Netanyahu nuk e përmendi vrasjen.
“Na presin ditë të vështira. Që nga sulmi në Bejrut, kërcënime janë dëgjuar nga të gjitha palët. Ne jemi të përgatitur për çdo skenar dhe do të qëndrojmë të bashkuar ndaj çdo kërcënimi. Kushdo do të paguajë një çmim të shtrenjtë për çdo agresion”.
Pas deklaratës, një zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së mbajti një konferencë për llogari të Antonio Guterres.
Ai tha se sulmet e fundit në Beirut dhe Teheran përbëjnë një përshkallëzim tët rrezikshëm në një moment kur përpjekjet duhet të fokusohen tek armëpushimi në Gaza, lirimi i pengjeve izraelite, shtimi i ndihmave humanitare për palestinezët dhe kthimi i qetësisë në Liban dhe përgjatë Vijës Blu.
“Por në vend të kësaj, ajo që po shohim janë përpjekjet për t’i minuar këto qëllime”, tha zëdhënësi.
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani shprehu gjithashtu shqetësimin e tij për një përshkallëzim të mundshëm të situatës në Lindjen e Mesme.
“Ne nuk duam që Lindja e Mesme të zhytet në luftë të hapur”, tha Tajani teksa zbardhte projektin e Italisë “Ushqim për Gazën”, që së bashku me Programin Botëror për Ushqimin ka përfshirë 12 milionë euro për familjet në nevojë.



