
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të dalë me qëndrim publik lidhur me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave i cili miratua javën e kaluar në Kuvend.
Shqetësimeve të AGK-së, i janë bashkuar Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligji nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Europës.
“AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve”- thuhet në njoftim.
Sipas AGK-së, mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht.
“Nga Presidentja pritet që të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE”- thuhet në reagimin e AGK-së.
Me 59 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 11.07.2024, Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
Për këtë projektligj deputetët nga LVV, Dimal Basha dhe Eman Rrahmani kanë abstenuar.
Organizata të shoqërisë civile në fushën e medias dhe aktivistë kanë pasur një mal me kërkesa dhe komente në lidhje me Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ndryshimet e propozuara në Ligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) i ka quajtur përpjekje të Qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove.
Ligji parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.



