
Ndërsa konsorciumi tjetër “Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë (INSI) SHPK & Tecnoengieneering SRL & Daniele Lauria & Studio Lauria Network & ALB Architect SHPK” është eliminuar nga gara për shkak se është vlerësuar “administrativisht i papërgjegjshëm”. MKRS ka renditur 15 arsye që kanë çuar në eliminimin e këtij konsorciumi.
“Nuk i keni përmbushur kërkesat e sigurisë së tenderit. Nuk i keni përmbushur kërkesat e vlefshmërisë së tenderit. Partneri juaj nuk i ka përmbushur kërkesat e përshtatshmërisë” – janë disa nga arsyet e përmendura në listën e arsyeve të listuara për eliminim të këtij konsorciumi në vendimin e AK-së që mban datën 04.06.2024.
Ndaj këtij vendimi janë ankuar dy konsorciumet e eliminuara, duke përfshirë edhe atë që ishte eliminuar në fazën e parë për shkak të zbulimit të identitetit.
Më 08.06.2024, konsorciumi “Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë (INSI) SHPK & Tecnoengieneering SRL & Daniele Lauria & Studio Lauria Network & ALB Architect SHPK” kishte dorëzuar kërkesë për rishqyrtim në MKRS. Dy ditë më vonë, më 11.06.2024, ky konsorcium e kishte njoftuar MKRS-në se ALB Architect SHPK, njëri nga anëtarët e këtij grupi të operatorëve ekonomikë ishte tërhequr nga konsorciumi.
“Oferta e grupit të operatorëve ekonomikë pas tërheqjes së njërit nga anëtarët e grupit konsiderohet e papërgjegjshme dhe nuk ka mundësi të modifikohet” – thuhet në vendimin e MKRS-së që mban datën 11.06.2024.
Më 10.06. 2024, konsorciumi “POLIS Univerity & ASArchitects STP-SLR MetroPolis, SA Corporate Advisory LLC” kishte dorëzuar kërkesë për rishqyrtim. Një ditë më vonë, më 11.06.2024, MKRS e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim.
“Duke qenë se nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për ankesë në njoftimin mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues – Faza 1, me datë 01.12.2023, Grupi i Operatorëve Ekonomikë në fjalë ka humbur të gjitha të drejtat ligjore për t’u ankuar në këtë fazë” – thuhet në vendimin e MKRS-së për refuzim të kërkesës për rishqyrtim.
Si shkoi procedura për zgjedhjen e fituesit?
Paraprakisht procedura për përzgjedhjen e konsorciumit fitues është shoqëruar me ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe padi në gjykatë.
Konsorciumet në këtë tender kishin aplikuar me kode, me përjashtim të “POLIS Univerity & ASArchitects STP-SLR MetroPolis, SA Corporate Advisory LLC”, e cila kishte zbuluar identitetin në fazën e parë dhe për këtë arsye ishte eliminuar.
Në vendimin e publikuar më 01.12.2023 për fazën e parë, konsorciumi “Gerber Architekten International GmbH & Donald Insall Associates & Barker Langham” me kodin 2606 ishte renditur i par me më së shumti pikë ndërsa konsorciumi tjetër “Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë (INSI) SHPK & Tecnoengieneering SRL & Daniele Lauria & Studio Lauria Network & ALB Architect SHPK” me kodin 1111 ishte renditur i dyti.
Më pas, ky konsorcium ka dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit më 22.12.2024. Në ankesën e tyre ata kishin pretenduar se oferta e dorëzuar nga tashmë të shpallurit fitues të tenderit, ka qenë vetëm një propozim i përgjithshëm, sipërfaqësor dhe sipas tyre, pa vlera të shtjelluara.
“Koncepti i dorëzuar është i mangët, steril dhe thjesht një përshkrim sipërfaqësor. Ai nuk është i shtjelluar as minimalisht sipas një strukturë të kërkuar, pa arritur të ndërtojë vizion, pa përcaktuar qëllime dhe objektiva për zhvillim” – thuhet ndër të tjera në ankesën e dorëzuar në OSHP.
OSHP e kishte vlerësuar ankesën si të pabazuar.
“Paneli shqyrtues lidhur me pretendimet e operatorit ekonomik ankues i ka falur besimin e plotë raportit të ekspertit, sipas të cilit pretendimet ankimore të operatorit ekonomik ankues janë vlerësuar si të pabazuara” – thuhet në vendimin e OSHP-së të datës 09.02.2024.
Pak ditë më vonë, Instituti për Shkencë dhe Teknologji (INSI), më 16.02.2024 kishte dorëzuar padi në Gjykatën Komerciale në Prishtinë në lidhje me këtë tender.
Qëndrim Arifi, avokat i INSI, në një konferencë për media pas dorëzimit të padisë kishte thënë se faza e vlerësimit të ofertave ishte përcjellur me parregullsi.
“Instituti nuk është pajtuar me vlerësimin për dy arsye kryesore. E para, dosja e këtij tenderi e ka saktësuar në mënyrë të qartë ‘pjesa ideore e projektit dorëzohet në mënyrë fizike, ndërsa pjesa tjetër në mënyrë elektronike’” – kishte thënë Arifi.
“I vetmi operator ekonomik që ka dorëzuar në këto dy forma është Instituti për Shkencë dhe Teknologji. Dy të tjerët e kanë dorëzuar vetëm fizikisht”.
Në një përgjigje për KALLXO.com, avokati i Institutit për Shkencë dhe Teknologji “INSI”, Qëndrim Arifi, ka thënë se deri më tash nuk është mbajtur asnjë seancë në lidhje me padinë e dorëzuar, ndërsa në lidhje me njoftimin për dhënien e kontratës, ai ka bërë të diturse nuk do bëhet ankesë, pasi që njëri nga anëtarët e konzorciumit është tërhequr.
“Nuk është mbajtur asnjë seancë, në proceudurë është, nuk ka kurgjo. Ka me mbetë vetëm padia që është. Njëra kompani është tërhequr prej konzorciumit edhe është mbetë vetëm padia” – ka thënë Arifi shkurtimisht përmes telefonit më 04.07.2024.
24 vjet me ‘konservim’ emergjent
Kullat e familjes heroike Jashari në Prekaz të Skenderajt mbesin të rrezikuara nga shembja, kjo pasi ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga sulmi i forcave serbe ndaj tyre, objektet në kuadër të kompleksit memorial “Adem Jashari”, ende nuk janë konservuar.
Në mars të vitit 2019 ishte themeluar Komiteti ndërministror për realizimin e projektit për konservimin e Kompleksit Memoroal “Adem Jashari”, pas miratimit të Ligjit për këtë kompleks, në fund të vitit 2018.
Ish-drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj në emisionin “Kallxo Përnime” më 01.03.2024, ka thënë se ka ekzistuar një frikë tek të gjithë akterët se mos po bëhet ndonjë projekt “shkel e shko”.
“A me vazhdu me atë projekt që ka qenë apo me prit derisa kompania e cila e merr menaxhimin e projektit, ta bëj një të ri. Fatkeqësisht ra ajo qeveri, erdhi qeveria tjetër, që u deshën procedurat prapë prej fillimi, por edhe kjo tjetra qeveri s’mundi të bëj asgjë konkrete. Kjo qeveria tjetër, Kurti, morën vendime konkrete u caktuan ekspertët për ta bërë detyrën projektuese, u caktu komisioni i ekspertëve” – kishte thënë Zogaj.
Ai kishte shpjeguar se pas kësaj, kanë filluar procedurat tenderuese për master-planin dhe sipas projektit Kompleksi Memorial “Adem Jashari” ndahet në tri zona.
“Janë 450 hektarë si pjesë e kompleksit, zona e parë janë varrezat, kullat, muzeu ku ka me qenë deri te bunkeri, pjesa tjetër peizazh dhe pjesa tjetër, fabrika e municionit. Në bazë të detyrës projektuese, do të jetë një projekt i jashtëzakonshëm, ndërsa nëse kërkojmë fajtorin, është e vërtet se të gjitha nga pak jemi fajtor” – kishte thënë tutje Zogaj.
Shtëpitë në Kompleksi Memorial “Adem Jashari” kanë mbetur në gjendjen e njëjtë që nga viti 2000 kur ishte bërë konservimi emergjent i tyre.
Në një intervistë për “Kallxo Përnime” më 01.03.2024, Lahudin Myrtar, inxhinieri që në vitin 2000 ishte angazhuar nga shtabi i UÇK-së për konservimin emergjent të shtëpive të Jasharëve në Prekaz.
Myrtaj ka thënë se s’ka besuar që edhe pas 24 vjetëve, askush s’ka intervenuar që të bëhet një konservim profesional të këtij Memoriali.
Ai ka shtuar se nuk ka dhënë garanci që këto skele do të qëndrojnë mbi 24 vjet.
Ai shtoi se në atë kohë, ndonëse u kanë munguar mjetet e punës, vullneti ka qenë për ta konservuar këtë kompleks.
“Na kanë munguar mjetet, kemi punuar me mjete të thjeshta krejt me dorë i kemi punu, por vullneti i atyre punëtorëve të cilët as nuk i kam njohur, kemi punu tërë ditën edhe në atë të ftohtë, deri më 3 mars është bo ky konservim”, – tha Myrtaj.
Qëllimi i kontratës 7.8-milionëshe e cila pritet të nënshkruhet më 11.07.2024, është zhvillimi i master-planit – dokumentacioni teknik, duke përfshirë planet strategjike dhe hapësinore strukturore të detajuara të sistemeve përkatëse urbane, programin kuratorial, projektet e konservimit dhe projekte të tjera arkitekturore për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Në njoftimin për kontratë thuhet se shërbimet do të zbatohen bazuar në parimet, proceset dhe praktikat e konventave dhe kartave ndërkombëtare, të miratuara dhe funksionalizuara nga “International Council on Monuments and Sites” [ICOMOS], “International council of Museums” [ICOM] dhe “United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization” [UNESCO], si dhe në përputhje me legjislacionin, rregulloret, normat standardet dhe kodet teknike vendore në fuqi, dhe në kufi të buxheteve dhe brenda afateve kohore të përcaktuara.



