LajmeMaqedoniTopLajm

Ndryshimet kushtetuese as që diskutohen! Çfarë resorësh do të kërkojë VLEN-i nga VMRO-ja?

Kushti bazë në negociata janë ndryshimet kushtetuese. Kjo nuk diskutohet pavarësisht nëse me VMRO-në negocion Fronti Europian apo koalicioni VLEN. Kështu u shprehën dy të ftuarit në Daily Click, Arben Ziberi nga Fronti Europian dhe Fari Hiseni nga koalicioni VLEN. Por përpos ndryshimeve kushtetuese, gjatë negociatave të trupave punuese, do të diskutohet edhe ndarja e resoreve. Nga VLEN thonë se nuk janë të interesuar për pozita por për institucione.

“Në vazhdimësi ne e kemi theksuar se ne nuk jemi të interesuar për pozita si emër por jemi të interesuar për institucione. Neve nuk na duhet ministri por na duhet ministria. Nuk na duhet kryeparlamentari por na duhet Kuvendi. Nuk na duhet kryeministri por na duhet Qeveria”, tha Fari Hiseni – VLEN.

E për këtë qëllim, nga sot do të nisin negociatat mes grupeve punuese, dhe do të definohet se kush cilat ministri do t’i udhëheqë.

“Sot nisin trupat punuese mes dy kampeve, VMRO nga kampi maqedonas dhe VLEN si opsion i vetëm kombëtar. Në kuadër të trupit koordinues do të definohen numrat se cilat ministri do të udhëhiqen nga VLEN, se cilat poste kyçe do të….
A keni preferenca ju se cilat ministri do t’i donit?
Nuk është preferencë por çfarë është në favor të qytetarit”, pohoi Fari Hiseni – VLEN.

Por çfarë do të mund të merrte Fronti Europian më tepër se sa nga ajo që kërkon VLEN? Arben Ziberi është i bindur se BDI përsëri do të arrinte të marrë po aq ministri sa udhëheqë tani në qeverinë aktuale.

 

“Sigurisht, sigurisht se do të arinte t’i merrte këto pozicione pasi që BDI çdoherë atë që e ka thënë dhe e ka bërë. Kushti jonë i vetëm pa të cilën ne nuk ulemi të bisedojmë me ato. Nëqoftëse ata thonë se nuk do të votojmë ndryshimet kushtetuese, nuk ka çfarë më andej”, deklaroi Arben Ziberi – Fronti Europian.

Ziberi i bëri me dije Hisenit, se koalicioni VLEN shumë shpejtë do të pendohet që bashkëpunon me Mickoskin dhe shumë shpejtë do ta braktisin Qeverinë.

“Ne me këtë mendësi, me këtë sjellje të partive që pretendojnë të jenë pjesë e pushtetit, mbajeni mend ne do të izolohemi. Do të ngelemi një shtet i izoluar. Do të vini në një situatë shumë shpejtë për punët që jeni duke i bërë tani me Mickoskin, dhe ju do ta shani Mickoskin të parët duke ju anashkaluar dhe duke mos ju përfillë në Qeverinë e VMRO-DPMNE-së”, theksoi Arben Ziberi – Fronti Europian.

Përndryshe sa i përket resoreve, së fundmi Arben Taravari nga koalicioni VLEN, tha se shpreson që përsëri kryetari i Kuvendit të udhëhiqet nga shqiptarët, dhe kjo do të jetë një prej kërkesave gjatë negociatave. Që nga fillimi, pra para zgjedhjeve, nga VLEN thonin se kërkesat e tyre do të jenë të udhëheqin me institucione të cilat luftojnë krimin dhe korrupsionin.

Related Articles

Back to top button
Close
Close