Ndryshe, sindroma e ka marrë emrin nga kryeqyteti i Kubës, Havana, ku edhe është zbuluar rasti i parë me këtë sëmundje në vitin 2016, megjithëse raporti i ri sugjeron se rastet e para mund të jenë shfaqur në Gjermani dy vjet më parë.
Personeli amerikan i goditur nga kjo sëmundje, duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë, CIA-n dhe stafin e FBI-së, janë ankuar për marramendje, dhimbje koke, vështirësi në përqendrim, probleme me shikimin dhe dëgjimin, si dhe një tingull intensiv të dhimbshëm në veshët e tyre.
Por, prej kohësh ekziston dyshimi se ata janë goditur nga energjia e drejtuar ose mikrovalët e shpërndara nga pajisjet e fshehura ruse, opsion ky i cili u pranua të jetë i mundshëm edhe nga inteligjenca amerikane.
Hetimi i ri pretendon se një operativë nga një njësi e inteligjencës ushtarake ruse, e njohur si 29155, mund të ketë shënjestruar trurin e diplomatëve amerikanë me armë energjetike.
Si pjesë e hetimit, raportohet gjithashtu se oficerët e njësisë 29155 janë shpërblyer për punën e tyre në lidhje me zhvillimin e “armëve akustike jovdekjeprurëse”.
Se Rusia qëndron pas kësaj pune beson edhe ish-kreu i hetimit të Pentagonit për incidentin misterioz shëndetësor, Greg Edgreen, i cili ka theksuar se shteti rus po i sulmon zyrtarët amerikanë si jashtë ashtu edhe brenda vendit.
Duke iu përgjigjur raportit, zyrtarët amerikanë u shprehën se “do të vazhdojnë të shqyrtojnë nga afër incidentet anormale shëndetësore”, dhe përsëritën qëndrimin e tyre se “ka gjasa që edhe një kundërshtar i huaj të jetë përgjegjës”.
Gjithashtu, ata thanë se “nuk dyshojnë në përvojat dhe simptomat reale që kolegët dhe anëtarët e familjes së tyre kanë raportuar”.
Ndryshe, Rusia ende nuk ka komentuar mbi raportin.