
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, inkurajon Serbinë që të ndërmarrë veprime proaktive për dialogun me Kosovën.
Sipas tij, për një normalizim të shpejtë duhet të përfshihen edhe kompromise nëse është e nevojshme.
Në një letër drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për Ditën e Shtetësisë Serbe, Biden garanton se SHBA do të bashkëpunojë ngushtë me Serbinë, Kosovën dhe Bashkimin Evropian në dialog.
Presidenti amerikan shton se Serbia, nën udhëheqjen e Vuçiçit, i është bashkuar 140 vendeve demokratike të botës në Kombet e Bashkuara që kanë dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Është e rëndësishme që ne të mbetemi të bashkuar në mbështetjen e Ukrainës dhe të dënojmë luftën brutale të Rusisë”, vazhdon letra e tij.
Siç raporton “N1”, në letrën e Biden drejtuar Vuçiçit, theksohet se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është kyç për të ardhmen paqësore dhe të suksesshme të Serbisë dhe rajonit”.



