
Asistentja e akredituar e Parlamentit Evropian, Federica Woelk, ka reaguar pas ndalimit të Klara Sanduloviq, vajzës së politikanit serb, Nikola Sanduloviq, nga autoritetet serbe në pikën e kalimit kufitar në Merdar.
Përmes një postimi në platformën X, Woelk ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vazhdon të frikësojë dhe sipas saj, ai duhet të ndalohet tani.
“Vajza e Sanduloviq , Klara, mbahet në kufi dhe nuk lejohet të hyjë në Serbi sepse ka vendosur një lule. Pikërisht e njëjta gjë ka ndodhur me të atin dhe me avokatin. Vuçiq vazhdon të frikësojë – duhet ta ndalojmë tani!”, shkroi ajo.
Ndryshe, Klara Sanduloviq, raportohet se është ndaluar nga Policia e Serbisë, pasi ajo po kthehej nga Kosova, ku gjatë ditës së sotme shkoi për të bërë homazhe në kompleksin memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz.
Sanduloviq përmes një postimi në X tha se asaj nuk po i lejohet të hyjë në Serbi.
“Regjimi diktatorial i Aleksandar Vuçiqit vazhdon ta persekutojë vajzën time, Klarën. Policia po e mban atë dhe zyrtarët e Partisë Republikane në pikëkalimin kufitar të Merdarit dhe nuk po i lejojnë të hyjnë në Serbi”, shkroi ai.



