
Lamtumira e Gianluigi Donnarummës nga Milani në vitin 2021 vijon ende të mbetet një temë e nxehtë në ambientin kuqezi. Gardiani italian zgjodhi të transferohej në Paris, tek skuadra e Paris Saint-Germain. Këtë vendim tifozët e Milanit nuk ia kanë falur kurrë 24-vjeçarit duke e cilësuar si një tradhti për para.
Megjithatë, në momentin kur në Milano mbërriti Mike Maignan, “ujërat” u qetësuan pasi francezi u konsiderua si pasues dinjitoz i Donnarummës, madje për shumë edhe më i mirë se italiani. Gjithsesi, agjenti i Donnarummës, Enzo Raiola thekson se Maignan nuk mund të krahasohet me “Gigion” ndërsa shtoi se “klienti” i tij refuzoi Real Madridin për të qëndruar me kuqezinjtë.
“Maignan po bën shumë mirë te Milan, është edhe portieri titullar i Francës. Por, mos e krahasoni me Donnarummën sepse nuk është më i mirë. Nuk dua ta ekzagjëroj, por Donnarumma nuk krahasohet me askënd, është portieri më i mirë në botë.
Të gjithë trajnerët e portierëve e thonë këtë. Kur Donnarumma ishte 17-vjeç pati ofertë nga Real Madridi, ai pa sallën e trofeve të Los Blancos, por sërish i refuzoi për të luajtur me Milanin”, u shpreh Enzo Raiola.



