BotaLajmeTopLajm

Izraeli propozon planin e ri për Gazën pas luftës

Izraeli ka paraqitur një plan të ri për qeverisjen e ardhshme të Gazës pasi të përfundojë lufta me Hamasin.

Rripi i Gazës nuk do të jetë më nën kontrollin e plotë të palestinezëve. Këtë plan pritet të zbatojë Tel Avivi pas fundit të sulmit izraelit në territorin jug-perëndimor palestinez, që pritet edhe për shumë muaj. Izraeli do të mbajë kontrollin e përgjithshëm të sigurisë si dhe do të ketë një “taskforcë shumëkombëshe” e përbërë nga vendet perëndimore dhe arabe për të qeverisur zonën kufitare. Egjipti, si një vend ndërmjetës gjatë gjithë konfliktit pritet të ketë një rol të rëndësishëm, por ende të papërcaktuar.

Planin e bëri publik ministri izraelit i Mbrojtjes Joav Galant, i cili tha se në të ardhmen, Izraeli do të jetë përgjegjës për sigurinë e Rripit të Gazës, por territori do të qeveriset nga palestinezët. Për Hamasin Galant u shpreh se do të zhduket plotësisht nga Rripi i Gazës. Megjithatë, projekti po përballet me kundërshtime edhe nga krahu nacionalist brenda qeverisë, që kërkon spastrimin e Rripit të Gazës nga banorët palestinezë dhe popullimin me izraelitë.

Ndërkaq luftimet në Gaza vijuan sërish me dhjetëra njerëz të vrarë në 24 orët e fundit. Bombardime të rënda u raportuan pranë Deir el-Balah, duke përfshirë kampet e refugjatëve Nuseirat, al-Maghazi dhe Bureij, ndërsa Izraeli detyroi banorët të evakuohen nga jugu. Të paktën 32 njerëz u vranë në Khan Younis dhe pesë në Rafah.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken pritet të zhvillojë një tur një javor në Lindjen e Mesme dhe jo vetëm. Ai pritet të zhvillojë bisedime me zyrtarë palestinezë në Bregun Perëndimor dhe udhëheqës izraelitë. Në qendër të diskutimeve do të jenë edhe mbrojtja e jetës së civilëve, lirimi i robërve të mbetur në Gaza, dërgesat e ndihmave, parandalimi i sulmeve Houthi në Detin e Kuq si dhe ulja e tensioneve në kufirin Izrael-Liban. Vizita e tij vjen mes tensioneve të shtuara në rajon pas vrasjes së liderit të lartë të Hamasit, Saleh al-Arouri në Bejrut për të cilën akuzohet Izraeli i cili as e ka konfirmuar e as mohuar përfshirjen në vrasje.

Related Articles

Back to top button
Close
Close