
Bruksel, 8 nëntor – Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Komisioni Evropian në takimin e palëve të interesuara të Jaspers, të organizuar në Bruksel, ka informuar se do të trefishojë ndihmën e saj këshillimore për Ballkanin Perëndimor. Mbështetja do të ofrohet në kuadër të programit të përbashkët të institucioneve JASPERS, duke e çuar buxhetin në vlerën më të madhe deri më sot – prej 20 milionë euro për asistencë teknike dhe rritjen e kapaciteteve të ekspertëve , gjatë gjashtë viteve të ardhshme.
“Kjo marrëveshje e re angazhon burime në nivel rekord për të mbështetur procesin e zgjerimit të BE-së, duke ndihmuar vendet të përgatisin strategji, plane dhe investime jetike, duke rritur kapacitetet e tyre për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve. Kjo mbështetje e shtuar këshillimore e BEI-t do t’u lejojë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor të zbatojnë në mënyrë efikase më shumë projekte në kuadër të planit ekonomik dhe investimeve të BE-së, duke ndjekur prioritetet e politikës së BEI-t”, deklaroi zëvendëspresidentja e BEI-t, Teresa Czerëińska.
“Në kudër të krahut tonë të përkushtuar për aktivitete jashtë BE-së – BEI Globale, përmes shërbimeve këshillimore të BEI-t dhe Komisionit Evropian, ne jemi të vendosur të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme për njerëzit në vendet fqinje të BE-së, t’i ndihmojmë ata të përparojnë me reformat, rritjen ekonomike dhe masat për klimën”, shtoi ajo.
Që nga viti 2005, programi këshillimor i BEI-t, JASPERS, është zbatuar në 27 vende dhe ka mbështetur përgatitjen e qindra projekteve me vlerë mbi 317 miliardë euro në fushat e transportit të qëndrueshëm, mbrojtjes së mjedisit, novacionit, kujdesit shëndetësor dhe tranzicionit të gjelbër brenda dhe jashtë BE-së.
Mathieu Bousquet, drejtor i komanduar në Drejtorinë e Përgjithshme për Negociatat e Fqinjësisë dhe të Zgjerimit (DG NEAR), Komisioni Evropian, tha se jemi shumë të kënaqur për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re kontributi me BEI-n për vazhdimin e mbështetjes këshillimore JASPER në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.
“Nëpërmjet JASPERS, ne vazhdojmë të mbështesim përfituesit e IPA në rrugën e tyre drejt BE-së përmes përgatitjes dhe zbatimit të projekteve infrastrukturore që janë teknikisht të shëndosha, të qëndrueshme për mjedisin, si dhe ekonomikisht e financiarisht të qëndrueshme. Vlen të theksohet se JASPERS gjithashtu këshillon vendet anëtare të BE-së për investime dhe përgatitjen në proceset e mëparshme të anëtarësimit. Jam i bindur se shërbimet këshillimore të ofruara nga JASPERS do të vazhdojnë të sjellin një ndikim pozitiv social dhe përfitime ekonomike për qytetarët. Ne presim të kontribuojmë në reduktimin e kohës së udhëtimit, rritjen e disponueshmërinë dhe aksesit në ujë të pijshëm, energji të pastër, si dhe të aksesit në infrastrukturë të sigurt digjitale, arsim efikas, energji dhe infrastrukturë të kujdesit shëndetësor. Kjo është vijim i drejtpërdrejtë i mbështetjes sonë më parë në rajon dhe i punës së vazhdueshme të kryer në Partneritetin Lindor nga “EPIC”. Asistenca JASPERS zbatohet në linjë me prioritetet e sektorit, të theksuara në ‘Global Gateway’ të BE-së, planet ekonomike dhe të investimeve dhe agjendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Bousquet.Top24



