
Një tjetër grup shqiptarësh prej 11 vetash janë evakuar nga Izraeli mëngjesin e kësaj të marte. Ata arritën të largohen nga vendi në luftë përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi.
Rikthimi i tyre në atdhe është bërë pas kontakteve të vazhdueshme që Ministria e Jashtme ka me ambasadën tonë në tel Aviv dhe autoritetet izraelite. Vetë shqiptarët e evakuuar rrëfejnë vështirësitë dhe situatën që po kalon Izraeli.
Pas këtij grupi të rikthyer në atdhe, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se vijon puna për të nxjerrë nga zonat e konfliktit edhe qytetarët e tjerë të bllokuar atje prej luftës.
Ky është grupi i dytë i shqiptarëve që riatdhesohet në Shqipëri, pas 40 studentëve që mbërritën në atdhe me një fluturim të posaçëm mbrëmjen e së dielës nga Tel Avivi në Tiranë.



