
Koordinator i grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, Atnan Neziri thotë se si parti nuk i votuan ndryshimet ligjore për Kodin Penal pasi vlerësojnë se një pjesë e tyre bin ndesh me luftën kundër korrupsionit, shkruan Top24.
I pyetur nëse ka pasur koordinim për të siguruar kuorum për votimin e të njëjtave ndryshime, Neziri thotë se nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë pasi ka pasur prezent mjaftueshëm deputetë nga opozita maqedonase, por edhe shqiptare.
“Për bindjen time personale, por që e ndanin edhe kolegët e tjerë nga subjekti ynë, ndryshimet përmbanin disa dispozita që harmonizonin ligjim me legjislativën evropiane, por edhe shumë të tjera që janë në kundërshtim me bindjet tona dhe të shumë qytetarëve për sa i takon luftës kundër krimit dhe korrupsionit, andaj dhe nuk i mbështetëm të njëjtat. Jo nuk ka pasur asnjë kordinim për kuorum dhe as nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë, pasi siç e pa opinioni kuorumi nuk ishte në pikëpyetje për shkak të prezencës së madhe edhe të vetë deputetëve të opozitës, si asaj shqiptare ashtu dhe të asaj maqedonase”, tha Neziri për Top24



