
Të gjithë që dyshohet se janë të përfshirë në skandalin me terapinë në Onkologji duhet të jenë në paraburgim, me qëllim që të mos ndikojnë në hetim, vlerëson ish prokurorja Lejla Kadriu, e cila nuk amniston edhe ish-ministrat dhe zv/ministrat e ish-drejtorët që kanë qenë në krye të Klinikës.
Kjo pasi, sipas Kadriut, ka tre vjet që flitet për këtë aferë, ndërsa institucionet kanë reaguar me vonesë edhe atë pas lajmeve në media. Ish-prokurorja gjendjen e përshkruan si alarmante, ndërsa kritikon Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë që nuk e kryen punën si duhet dhe për drejtësi selektive.
“I kemi marrë në pyetje, i thirrim në pyetje, i kemi marrë kompjuterët… nuk mjafton, ato janë gjëra që mund të ndërrohen dhe mund të zhduken. Pa mos i siguruar kryerësit fillimisht, të gjithë që kanë qenë të involvuar në proces, nga momenti kur janë pranuar e deri në momentin e distribuimit çfarë ka ndodhur, duhet të bëhet për to analiza dhe të sigurohen provat, por jo në këtë mënyrë, jo me komisione, secili në këtë shtet duhet ta dijë punën e vet”, tha Lejla Kadriu, ish-prokurore.
Sipas ish-prokurores ky skandal bën pjesë në llojin e vrasjeve për interesa personale dhe kryerësve për këtë vepër penale u kërcënohen dënime të larta, me më së paku 10 vjet. Kadriu beson se në shitjen e terapive është një zinxhir i gjatë i personave të përfshirë, ku infermierët janë vetëm mashë. Si përfundim ajo druan se hetimi do të stërzgjatet që kjo vepër penale të relativizohet.
“Jo nuk mundet, infermierja atë punë vetë nuk mund ta bëjë, infermierja mund të jetë vetëm mashë e dikujt për ndonjë interes të vogël të vetin personal. Faktikisht ata me qëllim nuk shërojnë njerëzit, i shesin barërat u japin tretje fiziologjike, që ato barëra që mund të çojnë në shërim t’i bëjnë para. Ata me vetëdije kryejnë vrasje dhe nuk mund të kalojnë me papërgjegjësi”, theksoi Lejla Kadriu, ish-prokurore.
Përndryshe nga Prokuroria Publike Themelore thonë se bashkë me Ministrinë e Brendshme në vazhdimësi janë duke marrë në pyetje persona që mund të kenë njohuri te caktuara për rastin. Gjithashtu, ka filluar një pjesë e analizës së provave materiale të mbledhura. Top24



