
Zëvendësministreja e Bujqësisë pylltarisë dhe ekonomisë së Ujrave, Vjollcë Berisha përmes një postimi në profilin e saj në FB ka njoftuar për fillimin e punimeve për vendosjen e pompave për ujitje, problem ky i kahmotshëm i bujqve dibranë, shkruan Top24
Sipas zëvendësministres Berisha 1650 hektarë tokë do të ujitet me ndërtimin e plotë të sistemit të ujitjes në Fushë të Dibrës, nëdrsa projekti përbëhet nga 2 faza. E para filloi sot dhe do të përfundojë brenda 12 muajsh. Në fund të fazës së dytë fusha dibrane do të ujitet tërësisht.
Kjo mungesë artikulohej gjithmonë gjatë takimeve të mia me qytetarët e Dibrës. Sot pata kënaqësinë dhe krenarinë e të qenit pjesë e një projekti gjigant kapital që zë vlerën prej mbi 2 milionë eurosh, vlerë kjo që qindfishohet për nga rëndësia jetike që ka për bujqësinë e këtyre anëve.
Shifrat e promovuara sot, bashkë me shestimet e projektit, patën lexim të dyfishtë në breg të Liqenit të Dibrës: për ne qenë shifra krenarie që qeverisim me ndryshime të dukshme në të mirë të qytetarëve, ndërsa për dibranët qenë shifra jetike të plotësimit të një nevoje.
Dhjetëra milionë investime kapitale për sisteme ujitjesh në tërë vendin nga Unioni Evropian janë tregues i përmirësimit të cilësisë jetësore dhe standardit ekonomik me integrimin evropian, gjë që e thotë zëshëm për të satën herë se rruga evropiane është pa alternativë për të gjithë ne.



