
Sipas sociologëve dhe aktivistëve për të drejtat e grave, mohimi i të drejtave trashëgimore në shoqërinë shqiptare ndodh për shkak të traditës tonë si shoqëri në të cilën në marrëdhëniet familjare – vazhdon të sundoj patriarkati.
Duhet të lësh pronën e babait që të mund të kthehesh për vizitë”, është fjala me të cilën edhe ditëve të sodit po rriten vajzat shqiptare. Këto rregulla të pashkruara, norma tradicionale, si dhe ruajtja e një marrëdhënie të mirë me vëllezërit shpeshherë i detyron ato të heqin dorë nga trashëgimia familjare. Sipas një analize të vitit 2021 të Ministrisë për Punë dhe Politik Sociale vetëm 27% e grave janë pronare të ndonjë prone, që sipas tyre duhet të dimë se mospasja e një kapitali apo pavarësie ekonomike shpeshherë është shkas që gratë të mos mund të dalin nga rrethi i dhunës, të vazhdojnë të jetojnë me dhunuesin, e fatkeqësisht të përfundojnë të vrara. Edhe ditëve të sodit në familjet tona vazhdojnë që djalin dhe vajzën ta rrisin ndryshe. “Vajzat dhe djemtë vazhdojnë të rriten ndryshe në familjet tona. Arsyet normalisht janë të shumta, dhe një ndër to është që djali shihet si personi i cili vazhdon rrjedhën apo mbiemrin e familjes. Kjo bën që në familje vajzat të jenë ‘qytetare të dorës së dytë’, pa shumë të drejta, dhe ‘për derë të huaj’. Kjo bën që të njëjtat të përjashtohen nga trashëgimi i pronës nga prindërit pasi që nuk shihen si pjesëtare të asaj familje, por si dikush që do e gjej shtëpinë diku tjetër”, deklaroi Beadini.
Sipas Arta Selmani Bakiut, profesoreshë e “Të drejtës familjare dhe trashëgimore” në Fakultetin Juridik pranë UEJL-së, mohimi i të drejtave trashëgimore në shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut ndodh për shkak të traditës tonë si shoqëri në të cilën në marrëdhëniet familjare vazhdon të sundoj patriarkati. Ajo u shpreh se është e paimagjinueshme që gruaja, qoftë në cilësinë e bashkëshortes apo në atë të vajzës të jep deklaratën pozitive të trashëgimisë, kjo për shkak se djali është pasardhësi i vetëm i kultitfamiljar. “Retorika tradicionale se ‘vajza është e derës huaj’, vazhdon të jetë aktuale edhe tek gjeneratat e reja, madje edhe vet vajzat janë pajtuar me fatin se nuk ka se çka ju takon nga pasuria e familjes, ajo pasuri është dhe duhet të mbetet tek vëllezërit dhe pasardhësit e tyre”, potencon Selmani-Bakiu. Sipas saj, në rastet kur vajza si trashëgimtare potenciale heq dorë nga trashëgimia, ajo jo vetëm që cenon të drejtat e saj trashëgimore, por përmes respektimit të traditës ajo cenon edhe parimin e barazisë në trashëgimi i cili është i garantuar me Ligjin për trashëgimi.
Në bazë të këtij ligji, personat të cilët mund të paraqiten si trashëgimtar janë të gjithë pasardhësit e tij, i adoptuari dhe pasardhësit e tij, bashkëshorti ose bashkëshortja, prindërit, vëllezërit dhe motra dhe pasardhësit e tyre, si dhe gjyshi e gjyshja dhe pasardhësit e tyre. Moszbatimi i ligjit si dhe traditat patriarkale që favorizojnë djemtë në trashëgiminë e pronave, ekziston edhe sipas sociologut Skender Iseni, i cili vlerëson se ka të dhëna të shumta që e tregojnë se kjo pabarazi është shumë e theksuar sa i përket të drejtave të pronës. “Shoqëria shqiptare ka një traditë që orientimin mashkullor dhe pronat e paluajtshme si rregull, trashëgoheshin në linjën mashkullore. Me faktin që vajza martohej, nga ai moment ajo hynte në një familje të re dhe të drejtat trashëgimore duhej ti gëzonte nga familja e re duke pasur një shkëputje nga koncepti i familjes së origjinës nga ku shihet se mentaliteti jo vetëm se e sfidon ligjin por edhe ngrihet mbi të”, deklaroi Iseni duke shtuar se mentaliteti ende kërkon që pronat të trashëgohen në vijë mashkullore që si rrjedhojë, vajzat e familjes heqin dorë nga pjesa që trashëgojnë për t’ua kaluar pjesën e tyre meshkujve të familjes. Top24



