
Lidhur me qëndrimin e opozitës se tani në tavolinë janë vetëm zgjedhjet e parakohshme, Osmani vlerësoi se me këtë dalin në pah agjendat personale dhe partiake, në kundërshtim me interesat shtetërore. Ai ka deklaruar se ka besim se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin.
Dorëheqjet e kushtëzuara të ministrave të BDI-së të paralajmëruara nga Ali Ahmeti edhe zyrtarisht i’u dorëzuan kryeministrit Kovaçevski, të nënshkruara individualisht nga të gjithë ministrat e BDI-së. Nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së votojnë për ndryshimet kushtetuese, automatikisht do të aktivizohen dorëheqjet e ministrave. Dhe jo vetëm kaq – Osmani bëri të ditur se BDI-ja si parti opozitare më pas do të heqë dorë nga pozitat që do të kishte në Qeverinë teknike për zhvillimin e zgjedhjeve, si dhe nga posti i kryeministrit të parë shqiptar për 100 ditët e fundit të Qeverisë. “Qytetarët kërkojnë Evropën nga ne, kërkojnë prosperitet, stabilitet, të planifikojnë jetën e tyre këtu në vend. Ne kemi bërë hapin tonë – po tërhiqemi nga të gjitha pozitat tona vetëm për hir të asaj ëndrre të qytetarëve”, tha Osmani.
Ndryshe, nevojën e miratimin e ndryshimeve kushtetuese e theksojnë edhe përfaqësues të Bashkësisë Ndërkombëtare të cilët thonë se është çelësi për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe se i gjithë procesi duhet çmitizuar dhe përmes tij nuk do të humbasë identiteti, gjuha apo historia. Top24



