
Të nderuar përfaqësues të mediumeve,
Të nderuar qytetarë.
Pushteti i njohur si pushtet i keqpërdorimeve dhe korrupsionit vazhdon të shpenzojë para të qytetarëve për “ahengje”, derisa qytetarët zhyten në varfëri dhe braktisin vendin.
Mbi 500 mijë euro, Qeveria e Dimitar Kovaçevskit dhe Artan Grubit do të shpenzojnë për manifestimet shtetërore të cilat mund të organizohen për shumë më pakë para dhe në mënyrë simbolike. Fakti që këto para do të menaxhohen vetëm nga dy produksione, të cilat vazhdimisht janë pjesë e tenderëve shtetërorë, ngjall dyshime për keqpërdorim të parave.
Imagjinoni mbi 100 mijë euro do të shpenzohen për shënimin e Marrëveshjes së Ohri, marrëveshje kjo e cila kurrë nuk u zbatua deri në fund, por vetëm u devalvua dhe u keqpërdor.
Në vend që Marrëveshja e Ohrit të ishte përmbushur dhe të ishte zgjidhur statusi i ish-ushtarëve të UÇK-së, të hiqet 20% nga Kushtetuta për gjuhën shqipe, gjuha shqipe të gjente zbatim të plotë në institucione dhe shqiptarët të jenë të përfaqësuar denjësisht në institucione, kjo marrëveshje u keqpërdor nga BDI vetëm për pikë politike dhe për përfitime të atyre që janë në pushtet.
Është turp të shënohet dështimi i Marrëveshjes së Ohrit.
Andaj, në këtë periudhë kur inflacioni është shkatërrues dhe qytetarët zhyten në varfëri, kërkojmë nga pushteti që urgjentisht të anulohen këto tenderë dhe këto mjete të dedikohen në projekte për plotësimin e kushteve elementare të qytetarëve.
Nëse vërtet BDI dhe LSDM nuk kanë nisur fushatën zgjedhore, atëherë le të anulojnë tenderët dhe le ti shënojnë në mënyrë sa më simbolike këto data, pa i varfëruar më shumë qytetarët dhe pa vjedhur edhe më shumë për vete.



