
Një sulm me dron rus ka goditur objektet portuale në jug të rajonit Odesa të Ukrainës, duke shkaktuar zjarre, thonë autoritetet. Si pasojë e sulmit u dëmtuan një kapanon gruri dhe infrastruktura portuale, thanë autoritetet, të cilët nuk zbuluan se cili port u godit.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë më herët se dronët po shkonin drejt lumit Danub, ku Ukraina ka porte përgjatë kufirit me shtetin e NATO-s, Rumaninë. Rusia filloi të synojë portet e Ukrainës pasi braktisi një marrëveshje të OKB-së për grurin.
Sipas asaj marrëveshje, e ndërmjetësuar një vit më parë, nënkuptohej që eksportet ukrainase dhe ruse mund të transportoheshin të sigurta përmes Detit të Zi.
Udhëheqësi rajonal i Odesa-s, Oleh Kiper tha se shërbimet e urgjencës po punonin në vendin e sulmit të fundit rus dhe nuk kishte raportime për ndonjë viktimë. Ai shtoi se informacione të mëtejshme do të jepen nga ushtria ukrainase.
Komanda ushtarake e Ukrainës në jug tha se mbrojtja ajrore kishte funksionuar për gati tre orë. Presidenti Volodymyr Zelensky tha se “për fat të keq ka pasur dëme”, ku dëmet më të mëdha janë regjistruar në Ukrainën jugore.
Pas tërheqjes nga marrëveshja e grurit, Rusia kërcënoi se do të synonte çdo anije që shkonte drejt porteve të Detit të Zi të Ukrainës duke vendosur “de fakto” një bllokadë detare. Rruga e Danubit është rritur në rëndësi si një alternativë, nëpërmjet porteve ukrainase të Izmail dhe Reni.
Ukraina është një nga eksportuesit kryesorë të grurit dhe misrit, dhe pjesa më e madhe e dërgesave kishte lëvizur nga portet e vendit të Detit të Zi.
Brenda natës, Rusia lëshoi gjithashtu më shumë se 10 dronë kundër kryeqytetit të Ukrainës Kiev, thonë zyrtarët lokalë. Të gjitha predhat u shkatërruan nga sistemet kundërajrore, por disa ndërtesa jo-rezidenciale u dëmtuan nga rënia e mbeturinave, thonë zyrtarët.



