
“’Metamorfoza’ është regjistruar që në muajin Janar”, kështu shprehet kryedemokrati Berisha për operacionin e SPAK që çoi në pranga zyrtarë policie, prokurorie e biznesmenë, ndërsa në kërkim u shpallën disa emra të njohur të botës së krimit.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, Berisha tha pretendon se operacioni është shtyrë me qëllimin që eksponentët e krimit të përdoren kundër opozitës dhe të sillen në Shkodër si pushtues për zgjedhjet e 14 Majit.
Sali Berisha: Ju e keni ndjekur operacionin ‘Metamorfoza’. Unë dy gjëra dua t’ju them juve. Ky operacion është regjistruar në Janar, por ky operacion u shty vetëm që këta banditë, vrasës, trafikantë, përdhunues të përdoren kundër opozitës dhe të sillen në Shkodër si pushtues. Por iu them nga ana tjetër se, miku i ngushtë i Edi Ramës, Pëllumb Gjoka, në fakt edhe i Erion Veliajt, sepse Erion Veliaj e ka pajisur me leje ndërtimi para 10 ditësh, dy javësh. Pra, miku i ngushtë i Edi Ramës vendosi Velipojën në pushtim më 14 maj dhe ne e denoncuam. Bajrët, që u informuan, që ia mbathën më 14 Maj me makina të blinduara ushtruan terror në Shkodër, e kështu me rradhë në të gjithë Shqipërinë bandat. Por një gjë dua të them, se midis Pëllumb Gjokës dhe Taulant Ballës, edhe më i poshtri është Taulant Balla, sepse Pëllumb Gjoka nuk synoi të bëhej ministër.



