LajmeSport

Shqipëria dy medalje ari në Olimpiadën Europiane

Shqipëria ka koleksionuar deri më tani dy medalje ari në Lojërat Europiane Olimpike që po mbahen në Poloni, duke bërë një paraqitje të mirë me sportistët e saj. Kuqezinjtë përfaqësohen me 12 sportistë në 8 disiplina, si boksi, skerma, karate, padel, qitje, taekuondo, teqboll dhe atletikë. Momentalisht, përfaqësuesja jonë lë pas kombëtare me emër në këtë renditje speciale, si Belgjika, Greqia dhe Suedia që deri më tani kanë fituar vetëm një medalje ari. Medalja e parë për kuqezinjtë mbërriti në Karate, aty ku dominoi Alvin Karaqi. 30-vjeçari shkëlqeu në ring, duke mos njohur kundërshtarë në kategorinë e peshës deri në 84 kilogramë.

Në atletikë, rekordmenja Luiza Gega arriti të sigurojë shkallën më të lartë të podiumit në garën e 3000 metrave me pengesa, duke lënë pas ndjeshëm rivalet. 34-vjeçarja e përshkroi distancën me rreth 21 sekonda më shpejt se atletja vendase, për të marrë kështu medaljen e artë. Paraqitje të mirë deri më tani ka dhuruar edhe boksieri, Alban Beqiri.

Flamurmbajtësi i përfaqësueses sonë në këto Lojëra Olimpike, ka kaluar në raundin e 1/16-ave, për të qënë kështu në garë për medalje. Beqirin e pret një sfidë e fortë ndaj lituanezit, Trofimcuk, me tepër eksperiencë në boksin olimpik. Paraqitje për tu harruar për Redis Karaj dhe Gelian Rojku, që nuk arritën të bënin diferencën në ring, për tu eliminuar që në raundet e para në kategoritë e boksit. Në taekwondo, Jurido Cani dështoi në finalen për medaljen e bronzit, duke mbetur pa medalje pas një paraqitje fenomenale prej tij.

Qitësja, Manjola Konini zhgënjeu të gjithë për tu pozicionuar në vendin e fundit mes 35 konkurrentëve në disiplinën 25 metra pistoletë. Kjo është hera e tretë që mbahen Lojërat Europiane Olimpike. Të gjitha sportet olimpike në këtë aktivitet do t’u ofrojnë mundësi kualifikimi sportistëve për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, veprimtarinë më të madhe botërore sportive që do të mbahet verën e ardhshme në kryeqytetin francez.

Related Articles

Back to top button
Close
Close