LajmeRajonTopLajm

Kurti e Escobar mohojnë vendosjen e afateve për propozimet e bëra për situatën në veri

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, përgënjeshtroi raportimin për ultimatum që e bënë disa media, përfaqësues të të cilave ai i takoi në Prishtinë një ditë më parë. Escobar, por edhe kryeministri Albin Kurti e mohuan se Kosovës i është dhënë kohë më së largu të mërkurën, që të japë përgjigje mbi propozimin ndërkombëtar për depërshkallëzimin e situatës në veri. Kryeministri shpalosi edhe pozicionin e tij në raport me kërkesat e ndërkombëtarëve.
Emisari amerikan, Gabriel Escobar, dhe kryeministri Albin Kurti e mohuan se një ditë më parë Kosovës iu dha ultimatum për ta pranuar më së largu të mërkurën propozimin ndërkombëtar për depërshkallëzimin e situatës në veri.

Mediat që të martën u ftuan nga Ambasada amerikane në një takim me Escobarin e cituan atë për ultimatumin.

Escobar e përgënjeshtroi raportimin, gjatë një paraqitjeje para mediave në Beograd.

“Nuk dhashë një afat të fundit. Çka u pyeta në Prishtinë ishte se çka ishin hapat e ardhshëm. Që të dy, edhe unë dhe z. Lajcak thamë se pas kësaj vizite unë do të pyetem nga Shtëpia e Bardhë të premten që të jap një përditësim se çfarë po ndodh. Mua më duhet të raportoj nëse kemi progres ose jo. Ai do të duhej të shkojë dhe raportojë te z. Borrell që të japë raportin e njëjtë. Nuk është një afat, por këta janë hapat e ardhshëm për mua dhe bazuar në raportimin tim, ne do të marrim disa vendime për të vazhduar përpara. Por nuk është afat i fundit për askënd”, ka thënë Escobari.

E kryeministri Kurti, gjatë një aktiviteti të xhudos në Mitrovicë, pasi tha të mos kishte marrë ndonjë ultimatum nga emisarët Escobar e Lajçak, shpalosi pozicionin e tij në raport me kërkesat e ndërkombëtarëve.

“Nuk ka shtet-ndërtim demokratik, nuk ka qëndrueshmëri institucionale, politike, shtetërore pa sundim të ligjit. E dyta është që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimin e të gjitha trazirave të dhunshme, të kemi zvogëlim të pranisë së Policisë nëpër ndërtesat komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor për zgjedhje të parakohshme sepse jemi të vetëdijshëm që dalja ka qenë shumë e ulët në herën e kaluar”, ka thënë Kurti.

Related Articles

Back to top button
Close
Close