
Kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar sot ekipin për Tiranën në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Alibeaj tha se PD do të jetë në të ardhmen alternativa qeverisëse.
“Jemi sot për përpilimin dhe artikulimin e programit. Rëndësia e këtyre zgjedhjeve, është bërë e ditur tashmë, për Partinë Demokratike dhe veçanërisht për Tiranën. Megjithëse e pranoj që janë zgjedhje në kushte të komplikuara, për Partinë Demokratike, për gjithë kalvarin që PD ka kaluar vitin e kaluar. Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për shqiptarët. Ky është moment për të bërë dallimin e madh. Në rastin e zgjedhjeve, zgjedhjet janë për shqiptarët dhe për një moment të lëmë mënjanë atë se çfarë Partia Demokratike ka kaluar. Janë të rëndësishme edhe për të ardhmen e Partisë Demokratike. Jemi këtu dhe marrim pjesë në këto zgjedhje pikërisht për të vazhduar kauzat tona. Kauzat e PD, kauzat e drejta, kauzat e ndershme që kemi mbajtur për të cilat kemi rezistuar gjatë kësaj kohë, e për të cilat do të doja të falënderoja të gjithë kolegët e mi, grupit parlamentar, kryesisë, të strukturave tona në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Tiranë. Falënderojë të gjithë demokratët të cilët I mbrojtën këto kauza me sakrifica.
Falë rezistencës së tyre, Partia Demokratike do të ngrihet më e fortë se më parë. Sepse unë besoj që janë pikërisht këto vlera, që është pikërisht kjo sakrificë ato të cilat do të triumfojnë. Partia Demokratike padyshim, e kam bindje këtë, do të jetë në të ardhmen alternative qeverisëse pavarësisht sakrificave që kemi kaluar tashmë. Sepse është sakrifica, djersa e kontributi i shumë e shumë demokratëve, njerëzve të lirë që kanë kontribuar dhe i kanë përkushtuar jetën e tyre kauzave tona. E për shkak të këtij mundi, e sakrifice, këtij kontributi 30-vjeçarë të demokratëve dhe njerëzve të lirë ne kishim detyrim, me të drejt, e kemi për mision që këto kauza e kjo rrugë të mos ngelet në mes. Jemi sot më të bindur se asnjëherë tjetër që vlerat për të cilat besojmë për një parti demokratike perëndimore, vlerat e demokracisë dhe parimet e shtetit të së drejtës, janë këto thelbi, seti kryesor i lindjes dhe ekzistencës të Partisë Demokratike. Këto parime për të cilat I kemi mbrojtur dhe do t’i mbrojmë gjithmonë. E drejta, e vërteta edhe mund të vonojë, por një gjë është e sigurt: do të triumfojë!



