
Mediat serbe kanë raportuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq është duke përgatitur një dokument që duhet të jetë bazë për vazhdimin e negociatave mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me vija të kuqe të përcaktuara sa i përket hyrjes së Kosovës në OKB, të cilin do t’ua prezantojë deputetëve.
Ndonëse seanca e rregullt pranverore ka nisur një muaj më parë, seanca parlamentare ende nuk është caktuar. Sipas informacioneve të mediumit të lartëcekur, megjithatë, plani është që të mbahet një seancë ku do të vijë Aleksandar Vuçiq dhe do ta “zbulojë” raportin për negociatat me kreun e ekzekutivit kosovar, Albin Kurtin.
“Vuçiq duhet të vijë në Kuvend për të prezantuar atë që ka ndodhur në takimet me Kurtin dhe këtë ndoshta do ta bëjë vetëm pas përfundimit të këtij raundi të ri në Bruksel, i cili është planifikuar pas datës 20 prill”, thekson burimi i Nova.rs.
Ndër të tjera, si pjesë e raportit për negociatat, ai do të prezantojë edhe një dokument që duhet të jetë bazë për negociatat e mëtejshme me Prishtinën. Në atë dokument do të shprehet edhe qëndrimi i Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Tani po mendojmë se si ta përkufizojmë pjesën që i referohet OKB-së dhe vijave të kuqe, pa e interpretuar Brukseli si refuzim të Serbisë për zbatimin e marrëveshjes”, thotë bashkëbiseduesi i Nova.rs.
Kujtojmë se pika më e diskutueshme për Serbinë është pika e marrëveshjes nga Brukseli, ku thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, ku përfshihet edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.
Vuçiq ka thënë në disa raste se kjo është një vijë e kuqe për Serbinë dhe se këtë e ka thënë edhe me rastin e pranimit të marrëveshjes në Bruksel.
Në ndërkohë, negociatorët e Beogradit dhe Prishtinës në nivel teknik, Petar Petkoviq dhe Besnik Bisljimi, ranë dakord për tekstin e deklaratës për të zhdukurit, e cila duhet të miratohet në takimin e ardhshëm të Aleksandër Vuçiqit dhe Albin Kurtit. Ai duhet të mbahet pas datës 20 prill.



