
Avokati mbrojtës i Kadri Veselit deklaroi se kundër klientit të tij s’ka asnjë provë, përjashtim me një që do ta shqyrtojnë më vonë, e as dëshmitarë se ai ka kryer ndonjë prej veprave me të cilat ngarkohet.
Sipas Emmerson, nuk ka asnjë provë që Veseli, si shef i zbulimit, “ka autorizuar apo nxitur ndonjë krim apo vepër kriminale, apo të ketë marrë ndonjëherë ndonjë raportim për kryerjen e ndonjë krimi”.
Emmerson ka përshkruar rolin e klientit të tij brenda strukturave UÇK-së si shef i shërbimit sekret.
“Sapo Veseli u emërua shef i zbulimit ai u largua nga Kosova deri pak para momentit që NATO të marrë vendimin për bombardime”, tha ai.
Sipas avokatit, Funksioni i zbulimit që kryente Veseli ishte i fokusuar në lidhjet e mbajtura me aparatin informativ të Shqipërisë dhe disa shteteve të NATO-s në pritje të asaj që pritej të vinte, përkatësisht fushata e bombardimeve.
“Funksioni i tij nuk kishte të bënte fare me zbulimin e brendshëm apo gjetjen e kolaboracionistëve. Fokusi i tij ishte thuajse tërësisht me mbajtjen e lidhjes me organizatat e huaja”, tha Emmerson.
Ai përsëriti disa herë që Veseli kishte qëndruar jashtë Kosovës dhe nuk ishte prezent në vendet ku prokuroria pretendon se janë kryer krime në qendrat e ndalimit./ Radio Evropa e Lirë



