LajmeSport

‘Tebas ka dhënë prova të rreme’; Barça kërkon dorëheqjen e presidentit të La Liga-s. Luftë totale…

Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, dyshohet se i ka dërguar një letër prokurorisë për çështjen e pagesës së zv.presidentit të arbitrave spanjollë, José María Enríquez Negreira, duke i akuzuar drejtpërdrejt dy ish-presidentët e Barcelonës, Josep Maria Bartomeu dhe Sandro Rosell për krime të dyshuara të keqadministrimit dhe përvetësimit, bazuar në një dokument të shkruar me dorë të një ish-ekzekutivi të ndjerë.

Në letrën e tij, Tebas ka lidhur drejtpërdrejt emrat apo mbiemrat e raportuar në dokument me dy ish-presidentët blaugrana dhe nga kjo ka nxjerrë përfundimin se ata mund të jenë të përfshirë në transaksione dhe lëvizje të pasurive të paluajtshme në “institucione financiare dhe banka investuese”.

Por familja e ekzekutivit të ndjerë, Josep Contreras, ka sqaruar identitetin e vërtetë të personave të përmendur në dokument, duke saktësuar se ata nuk kanë asnjë lidhje me ish-presidentët e Barcelonës.

Letra drejtuar Prokurorisë Publike e datës 22 shkurt, e nënshkruar personalisht nga Tebas, president i La liga-s, nuk kufizohet në sigurimin e dokumentacionit, por tregon teori se kujt i referohen emrat dhe mbiemrat e raportuar në dorëshkrimin e Contreras. Problemi është se këto teori dhe spekulime nuk do të korrespondonin me realitetin.

Vetë Tebas siguron se “kjo pjesë nuk ka frymë spekulative dhe as ky shkrim nuk presupozon ushtrimin e një akuze konkrete ndaj dikujt”. Megjithatë, vëren se “ne besojmë se emrat dhe mbiemrat e raportuar në shënimin e shkruar me dorë mund të përkojnë me ato të disa ish-menaxherëve të Barcelonës”.

Më pas ai vë në dukje se “me emrin e Román, të shoqëruar me fjalën avokat, mund t’i referohet Román Gómez Ponti, ish-shefi i shërbimeve ligjore të Barcelonës. Nuk mund të anashkalohet fakti që mbiemri Rosell përkon me atë të ish-presidentit Blaugrana mes viteve 2010 dhe 2014, ashtu si emri i Josep Maria përkon me atë të ish-presidentit të Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, i cili ishte kreu i klubit katalanas në vitet 2014-2020”.

Më 10 mars, zyra e prokurorit publik denoncoi Barçën, duke përfshirë dy ish-presidentët dhe disa drejtues të saj, për tri krime të vazhdueshme të korrupsionit ndërmjet palëve private në sektorin e sportit, administrim të padrejtë dhe falsitet komercial. Pretendimi i ngritur nga Tebas në letrën e tij është përjashtuar.

Në realitet, siç sqaroi familja e të ndjerit, dokumenti është shkruar dekada më parë dhe emrat e treguar nga Tebas i referohen Emilio Roman, avokatit të “Contreras” dhe Ramon Rosell, kontabilistit të kompanisë së tyre.

Presidenti i La Liga-s hedh poshtë akuzat dhe mbrohet në Twitter. “Titulli  i ‘La Vanguardia’ është i rremë. Ne nuk akuzojmë askënd, vetë lajmi e vërteton duke theksuar atë që shkruhej në letrën drejtuar prokurorit: As kjo letër nuk nënkupton ushtrimin e një akuze specifike ndaj askujt. Hidhni një sy gazetarëve tuaj për shpifje”, –  përgjigjet ashpër Tebas.

Reagimi i Barcelonës nuk vonoi. Klubi i Joan Laporta kërkon publikisht që Tebas të japë dorëheqjen si president i La Liga-s: “Lajmi që ‘La Vanguardia’ publikoi sot është aq serioz sa duhet të alarmojë të gjitha klubet e La Liga-s për shkak të praktikave që i atribuohen presidentit Tebas.

Vetëm për këtë fakt, atë të atribuimit të funksioneve që nuk i korrespondojnë, por edhe për dinjitet dhe respekt për kryesinë e La Liga-s, zoti Tebas duhet të japë dorëheqjen nga funksioni i tij”. Në letër, Barça shpreh “zemërimin, indinjatën dhe lodhjen e saj të thellë”, duke shpresuar që presidenti i La Liga-s “të shfaqet publikisht për të dhënë shpjegime, përtej tweet-it të me tone kërcënuese”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close