
“Mos i bëni presion Kosovës që të pranojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ishte thirrja që kryeministri Albin Kurti i përcolli fuqive perëndimore gjatë një interviste të dhënë për Associated Press.
Sipas Kurtit, qeveria serbe duhet të pranojë pavarësinë e të gjitha ish-republikave jugosllave në mënyrë që “të përballet me të kaluarën”. Ai theksoi se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO, e jo drejt Rusisë.
Javët të fundit janë shtuar ndjeshëm ecejaket diplomatike perëndimore, e të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë vizituar vazhdimisht Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar palët të pranojnë një propozim të ri – të quajtur propozim europian – që dy shtetet të normalizojnë raportet dhe të përshpejtojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011, por vetëm disa prej 33 marrëveshjeve të arritura janë zbatuar deri më tani.
“Negociatat deri tani ideologji për zgjidhjen e problemit… çdo zgjidhje është bërë më e ndërlikuar, madje edhe më e pazbatueshme, dhe publiku humbi interesin. Propozimi evropian “është një kornizë dhe platformë e mirë për të ecur përpara…. gjë që na bën ne që të shpresojmë lidhur me perspektivën e bisedimeve të ardhshme dhe për një marrëveshje”, tha Kurti.
Plani evropian – apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman – nuk është bërë ende publik, ndonëse disa detaje të tij janë përcjellë tashmë përmes mediave të ndryshme.



