LajmeRajon

Bullgaria nis ndërtimin e gazsjellësit që do ta lidhë me Serbinë

Bullgaria ka filluar të mërkurën ndërtimin e një gazsjellësi që do ta lidhë me Serbinë, me qëllim që të rrisë sigurinë e furnizimeve në Evropën Juglindore pas pushtimit rus të Ukrainës, raportoi Reuters.

Ndërtimi i kësaj lidhjeje të gazit natyror me Serbinë është bërë si hap i përshpejtuar nga ana e Bullgarisë për të hequr varësinë nga gazi rus.

Tubacioni 170 kilometra i gazit, i cili do të kalojë nga qyteti bullgar i Novi Iskarit në Nish në Serbi, pritet të jetë funksional deri në fund të vitit, ka bërë të ditur ministri bullgar i energjisë, Rossen Hristov.

Siç njoftohet, Bullgaria e cila ka marrë në konsideratë projektin që nga viti 2012, planifikon të ketë gati shtrirjen 62 km në territorin e saj deri në fund të tetorit. Serbia, e cila filloi ndërtimin shkurtin e kaluar, do të ketë gjithashtu pjesën e saj gati deri në vjeshtë.

“Ky projekt i jep mundësi të reja rajonit për diversifikim të vërtetë dhe siguri të furnizimeve”, ka thënë presidenti bullgar, Rumen Radev në ceremoninë e hapjes, ku mori pjesë edhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ne po marrim qasje të zgjeruar në tregjet evropiane. Serbisë po i ofrohet qasje në burime të reja gazi, që vijnë nga korridori jugor i gazit dhe terminalet për gazin natyror të lëngshëm në Detin Egje”, tha ai.

Tubacioni i ri, i financuar pjesërisht me ndihmën e Bashkimit Evropian, do t’i japë Serbisë qasje në furnizimet jo-ruse nga korridori jugor i gazit dhe terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Greqi dhe Turqi.

Tubacioni, i cili do të lejojë gazin të rrjedhë në të dy drejtimet, do të diversifikojë rrugët që lidhin Bullgarinë me rrjetin evropian të gazit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close