
Kryeministri Albin Kurti bashkë me dy vartësit e tij, ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi, kanë vizituar disa nga zonat e vendit që po përballen me vërshime.
Kurti nga aty është zotuar se Qeveria dhe institucionet e Kosovës do t’u dalin në ndihmë banorëve të prekur.
Por, kryeministri nuk ka lënë pa përmendur edhe arsyet që sipas tij kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbytjet e vendbanimeve nga vërshimet.
Kurti ndër të tjera ka përmendur edhe mungesën e projekteve të pyllëzimit ndër vite dhe sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes.
“Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, prerja ilegale e pyjeve ndër vite dhe mungesa e projekteve të pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, si dhe ndryshimet klimatike globale i kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbytjet e vendbanimeve nga vërshimet”, ka shkruar ai.
Reshjet e shiut kanë shkaktuar vërshime në shumë pjesë të vendit, teksa situatë më e rënduar paraqitet në Mitrovicë, Skenderaj e Klinë.
Këto komuna kanë vendosur që të premten të mos zhvillohet mësimi në shkollat fillore dhe të mesme për shkak të gjendjes së rënduar, të krijuar si pasojë e vërshimeve.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e shiut me intensitet të ndryshuar, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri më 25 janar 2023.



